Porti i Durrësit në tre muaj, rriten volumet e përpunimit me 8%

                                                             24 prill 2025

Veprimtaria ekonomiko-tregtare e Portit të Durrësit në periudhën janar-mars 2025, ka rregjistrua një rritje në masën 8,4 % krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, konfirmojnë se përgjatë tre muajve të parë të vitit janë akostuar në kalatat e Portit të Durrësit 308 mjete lundruese, të cilat kanë transportuar në total 882,481 tonë mallra, ose 68,104 tonë mallra më shumë se e njejta periudhë e vitit që lamë pas.

Referuar të dhënave analitike të APD-së, mbi 216 mijë tonë mallra janë importuar, ndërkohë që rreth 666 mijë tonë janë transportuar për eksport drejt porteve ndërkombëtare.

Po ashtu një rritje të konsiderueshme në masën 10% kanë shënuar edhe volumet e mallrave të përpunuar përgjatë muajit Mars, krahasuar kjo me Marsin e vitit 2024.

Të njejtat burime ndajnë edhe shifrat e mallrave të përpunuara në kalatat e kompleksit Portual Durrës-Porto Romano, ku gjatë këtij tre mujori janë përpunuar 1,553,036 tonë mallra, ndërkohë që kryesojnë eksportet me një rritje të konsiderueshme në masën 59%.

Të dhënat tregojnë se në portin më të madh në vend mbizotërojnë mallrat gjenerale, të cilat reflektojnë një rritje në masën 62% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Burimet zyrtare të APD saktësojnë se këtë tremujor, volumet e njësive konteinerike kanë njohur një rritje të lehtë prej 1%, ku në total janë përpunuar 43,638 TEU krahasuar me 43,395 TEU të përpunuara në janar-mars 2024.

Sa i përket sektorit të udhëtarëve, mbi 108 mijë pasagjerë janë regjistruar në hyrje-dalje të vendit nëpërmjet pikës kufitare të Durrësit, gjatë janar-mars 2025, ndërkohë që rreth 49 mijë mjete janë transportuar me tragete.