23 korrik 2025
Autoriteti Portual Durrës ka vijuar trendin pozitiv të performancës gjatë gjysmës së parë të këtij viti, duke përpunuar mbi 1.9 milionë tonë mallra, një rritje me 71,548 tonë ose 3.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të dhënat zyrtare të Autoritetit Portual Durrës (APD) tregojnë se importet kanë kapur shifrën e mbi 1.4 milionë tonëve, ndërsa eksportet kanë arritur në rreth 451 mijë tonë, me një rritje të ndjeshme në segmentin e mallrave gjenerale, të cilat janë rritur me 66% krahasuar me janar-qershorin 2024.
Rritje pozitive është shënuar edhe në transportin e udhëtarëve dhe automjeteve përmes Terminalit të Trageteve. Gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë përpunuar 241,490 pasagjerë, me një rritje prej 6%krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në hyrje të vendit janë regjistruar 112,194 pasagjerë, ndërsa 129,269 kanë udhëtuar drejt porteve ndërkombëtare.
Sa i takon mjeteve të transportuara, të dhënat e APD tregojnë se janë përpunuar mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë, duke reflektuar një rritje prej 5% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2024.
Ndërkohë, sektori i konteinerëve ka shënuar gjithashtu përmirësim, me 94,560 njësi konteinerike(TEU) të përpunuara, ose 970,031 tonë mallra. Rritja më e lartë është vërejtur në mallrat e importuara me konteinerë, me një rritje deri në 10%.






