Porti i Durrësit sot/ 690 konteinerë në përpunim nga anija “Solstice N”, 9 anije në pritje 26.02.2020

690 konteinerë po përpunohen sot nga anija “Solstice N”, e cila ka mbërritur pasditen e ditës së martë në portin e Durrësit.

Burimet nga Qendra e Informacionit, bënë të ditur gjithashtu se anija me gjatësi 223 metra ka udhëtuar nga porti i Gioia Tauros (Itali) drejt portit më të madh të vendit tonë.

Që nga fillimi i vitit 2020 në Terminalin përkatës janë përpunuar 21 anije të tjera me kontejnerë – u shprehën burimet.

Të mërkurën paradite, në Terminalin Perëndimor po përpunohen tre anije me 8,000 ton mallra gjithsej, përkatësisht çimento, ure’ dhe lidhje hekuri. Ndërkaq, në Terminalin Lindor vazhdon përpunimi i anijes “NS Sprinter” me 2,810 ton skrap.

Qendra e Informacionit në APD njofton se ditët e ardhshme në portin e Durrësit priten nëntë anije me mallra të ndryshme, si lidhje hekuri, plehra bujqësore, çimento, xhama, vaj ushqimor, si dhe me konteinerë.