Projekti i Portit Tregtar të Durrësit, mbahet konferenca e rëndësishme në Tiranë/ 22.03.2023

Projekti strategjik i portit të ri tregtar të Durrësit ishte në fokus të Konferencës së organizuar në ambjentet e Universitetit Politeknik të Tiranës, me temë “Zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe indikatorët e Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN-T)”.

Si një instrument kyç për mirëpozicionimin e vendit tonë në Korridorin VIII-të dhe për të shoqëruar procesin e bashkëpunimit rajonal me një infrastrukturë të qendrueshme portuale dhe logjistike, porti i ri në Porto Romano pritet të sjell bashkëpunimkonkret dhe të prekshëm nëpërmjet përfshirjes në Rrjetin e Transportit Trans-Europian (TEN-T).

Në qendër të fjalës së tij, kreu i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, z.Matej Zakonjšek theksoi potencialin që mbartin për Korridorin VIII vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, jo vetëm si aktorë në ndërlidhjen e Detit Adriatik me Detin e Zi por gjithashtu edhe në përmirësimin e rrjetit të ndërlidhjes ndërmjet porteve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, tha: “Ne jemi duke ju nënshtruar një tranzicioni drejt asaj që është sot standardi i industrisë portuale, drejt një modeli qeverisje më të gjerë të porteve tona i cili integron dy apo më shumë porte nën juridiksionin e një autoriteti të vetëm portual. Në këtë kuadër vizioni ynë për Porto Romanon sjell një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare rajonale. Ne po projektojmë një port të thellë, teknologjikisht të avancuar dhe të një standardi botëror i cili do të ketë kapacitetet e duhura për të përmbushur nevojat tregtare detare të dekadave të ardhshme jo vetëm për Shqipërinë po për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.”

Më tej u theksua edhe interesin e lartë të institucioneve financiare europiane dhe ndërkombëtare për të mbështetur këtë projekt strategjik të qeverisë shqiptare, i cili do të transformojë jo vetëm sektorin detar vendas por dhe atë rajonal. Paneli drejtohej nga z. Ardian Haçkaj (CDI) dhe Dekani i Fakultetit te Arkitekturës dhe Urbanizmit, z. Armand Vokshi