Punonjësit e APD, 300 pako me 3 ton ndihma ushqimore për familjet e zonave të përmbytura 12 shkurt 2015

300 pako me mbi 3 ton ndihma ushqimore janë nisur sot paradite nga porti i Durrësit drejt zonave të përmbytura në jug të vendit.

Punonjësit e Autoritetit Portual pas mbështetjes financiare prej 15 milion lek me anë të fondit të emergjencës, kanë grumbulluar gjatë ditëve në vazhdim një sasi të ardhurash monetare me të cilat janë blerë ndihma ushqimore për banorët e zonave të përmbytura.

Zv. Drejtori i përgjithshëm i APD, Artjan Qirici, në cilësinë e Kryetarit të komisionit të emergjencës në port, njofton se nisma e ditëve të fundit për solidaritet me familjet e dëmtuara nga përmbytjet në jug të vendit është mbështetur nga të gjithë punonjësit e portit. Automjeti me 300 pakot me mallra ushqimore do të niset drejt Fierit, ku sipas marrëveshjes me Shtabin qendror të emergjencave në shkallë vendi, do të depozitohen edhe ndihmat e APD.

Mësohet gjithashtu se në kutitë standarte me 12 kg ushqime secila janë paketuar makarona, oriz, vaj, sheqer, fasule, salcë, biskota, etj.

Javën e kaluar APD akordoi 15 milion lek të rinj në mbështetje të zonave të përmbytura. Nisma e solidaritetit do të vijojë edhe në ditët e ardhshme.

Thirrjes së punonjësve portualë i janë bashkuar edhe punonjësit e kompanive dhe firmave konçesionare, agjencive detare, kompanive stivadore dhe operatorëve të tjerë portualë, të cilët përmes Komisionit të posaçëm që u krijua në port do të njoftojnë për sasinë e ndihmave që gjatë ditëve në vazhdim do ti drejtohen zonave të përmbytura të jugut.