Reshjet e shiut pengojnë pjesërisht përpunimin e anijeve

Reshjet e shiut që kanë filluar sot rreth orës 11.00 nuk kanë penguar plotësisht veprimtarinë e përpunimit të anijeve në portin e Durrësit.

Sipas burimeve të dispeçerisë, hambarët i kanë mbyllur vetëm anijet “Rainboë – H” dhe “Baron”” në kalatat 5 dhe 2, të cilat po shkarkojnë përkatësisht çimento me paleta si dhe nitrat për bujqësinë. Përpunimi është ndërprerë edhe në anijen “Dante A” me 2470 ton kripë.

Ndërkaq në kalatën 5 po vazhdon shkarkimi i 6900 ton skrap metalurgjie nga anija “Ali B”. Përpunimi vijon edhe në kalatën lindore ku në anijet “Arikan Dadayli”dhe “Medazov Rosa” po ngarkohen 7400 ton krom dhe koncentrat kromi për eksport.

Sot paradite në kalatat e portit më të madh të vendit po përpunohen 6 anije me mallra. Shtatë të tjera, dy nga të cilat ndodhen në radë, pritet të mbërrijnë gjatë ditëve në vijim.

Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i keq me reshje shiu do të vijojë edhe gjatë orëve të ardhshme.