Rritja e kapaciteteve të sistemit kombëtar mbi gatishmërinë dhe reagimin ndaj ndotjes detare, në fokus të trajnimeve të stafit të APD

                                                                                            27 maj2025

Ka nisur ditën e sotme në ambjentet e Sallës së Konferencave“Hysni Aruçi” trajnimi ndërinstitucional me fokus “Planin e masave për reagimin ndaj ndotjes detare të shkallës I,II dhe III”, i cili bëri bashkë përfaqësues nga të gjitha prefekturat dhe bashkitë që kanë dalje në det si dhe nga portet detare shtetërore dhe private.

Ky trajnim vjen si pjesë integrale e programeve të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), i cili është i dizenjuar për të përmirësuar performancën e punës dhe aftësitë njohëse për personelin e QNOD- së, komandantëve të mjeteve detare dhe të gjithë personelit administrativ dhe operativ qëkryejnë detyra në det.

Qëllimi i këtij trajnimi është përforcimi i njohurive ekzistuese në fusha si kontrolli i hapësirës detare dhe zbatimi i ligjshmërisë në det por edhe rritja e njohurive profesionale, kualifikimi dhe arritja e standardeve të kërkuara nga i gjithë personeli mbështetës dhe operacional detar. Unifikimi i koncepteve dhe praktikave, gjuhës së komunikimit, mënyrës së planëzimit, organizimit dhe realizimit të operacioneve detare, për përshtatjen e standardeve ligjore dhe teknike si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe punës në grup, në drejtimin e operacioneve detare ishin ndër subjektet thelbësore të këtij programi.

Koordinatorët institucionalë të strukturave mjedisore, emergjencave detare dhe Kapitenerisë nënvizuan projektet dhe ndërmarrjet e përbashkëta për shkëmbimin e informacionit në interes të zgjidhjes së situatave detare, aftësimin profesional të personelit, kryesisht në njohjen e legjislacionit detar kombëtardhe ndërkombëtar, rritjen e bashkëveprimit ndërmjet grupeve të shërbimit, në aktivitetin e përditshëm, në fushën e operacioneve detare dhe mënyrat e zhvillimit të tyre, forcimin e bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit, komunikimit dhe teknologjisë në përdorim si dhe njohjen praktike të bregdetit në interes të zhvillimit të operacioneve detare në kohë dhe me kosto sa më të ulët.

Në përmbyllje të trajnimin pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e “Planit Kombëtar të Reagimit ndaj Ndotjeve Detare nga Hidrokarburet” si dhe me sistemin e komandimit dhe organizimin e grupeve të punës në terren, për drejtimin dhe reagimin ndaj ndotjes detare të shkallës së I, II dhe III, vlerësimin e ndotjes si pasojë e derdhjes së hidrokarbureve , si dhe impaktin e këtyre ndotjeve në shëndetin publik.