Në mjediset e Drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual të Durrësit po zhvillohet një seminar me tematikë shtimin e sigurisë në portet e vendit tonë nëpërmjet luftës kundër armëve të shkatërrimit në masë dhe akteve terroriste. Pjesa më e madhe e seancave të tij po zhvillohet në Sallën e madhe të Trajnimeve në drejtorinë e APD.
Seminari po ndiqet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve detare të vendit tonë, Forca e Sigurisë Portuale Durrës FSPD; portet Vlorë, Sarandë e Shëngjin; Administrata Detare; Kapiteneritë; Forca Detare; Policia Kufitare e Migracionit dhe Antikontrabanda Detare (Doganat).
Sipas organizatorëve realizimi i këtij Seminari u bë i mundur nën kujdesin e drejtpërdrejtë të ambasadës së SHBA në Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) Durrës, ICITAP-in (International Criminal Investigative Training Assistance Program – Programi Investigativ Penal Ndërkombëtar i Ndihmës dhe Trajnimit i Departamentit amerikan të Drejtësisë), Autoritetin Portual Durrës APD, etj.
Seminari ka filluar të hënën dhe do të vazhdojë deri ditën e premte, më 24 prill.
Foto: Mirësjellje e z. Shefqet Kërcelli