“Serenissima” dhe “Ocean Majesty”, dy kroçera me 398 turistë në bord, nesër në port

Dy kroçera me 398 udhëtarë në bord do të ankorohen në portin e Durrësit nesër në orët e para të ditës. “Serenissima” dhe “Ocean Majesty” do ankorohen në kalatat 4 dhe 5 rreth orës 7.00 të mëngjesit.

Që nga 4 tetori në Durrës mbërrijnë 4 kroçera gjithsej, ndërsa një tjetër pritet më 28 tetor.

Nga agjencia pritëse KAD mësohet se “Ocean Majesty” ka në bord 313 turistë, pjesa më e madhe e të cilave janë shtetas gjermanë, 45 austriakë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Hollanda, Australia, Greqia, Hungaria, Italia, Luksenburgu, Polonia, Zvicra, Turqia dhe Britania e Madhe. Kroçera “Ocean Majesty”, e cila ka ardhur edhe herë të tjera në portin më të madh të vendit ka një personel prej 214 punonjësish shërbimi dhe detarësh. Anija ka një gjatësi prej 135 metra dhe flamur portugez.

Ndërkaq “Serenissima” me port regjistrimi në Kingstoën do të mbërrijë në Durrës nga porti i Vlorës dhe pas disa orë qëndrimi do të vijojë drejt Shëngjinit, duke prekur tre porte shqiptare në po kaq ditë.

Numrin më të madh të turistëve në bordin e saj e zenë anglezët me 80 udhëtarë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Kanadaja, Ukraina, SHBA dhe Suedia. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë në mënyrë të organizuar qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.