Në zbatim të Planit të Sigurisë së Portit të Durrësit (bazuar në Kodin ISPS), Forcat e Sigurisë Portuale që prej disa ditësh kanë nisur largimin e të gjitha automjeteve që kanë shkelur afatet e qëndrimit në parkingjet brenda territorit.
Fillimisht janë evidentuar afro 90 automjete, të cilat qëndronin të parkuara edhe gjatë natës pranë godinave të institucioneve dhe Drejtorisë Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës.
FSPD gjetën mirkuptimin e drejtuesve të këtyre mjeteve, që u larguan brenda pak orëve nga vendet e parkimit portual.
Në territorin e APD funksionojnë tetë parkingje automjetesh, tre prej të cilave ndodhen në hapësirat e dhëna me konçesion në Terminalet e Udhëtarëve, në atë të Kontejnerëve dhe në Terminalin Lindor. Vetëm në parkingjet pranë Drejtorisë Ekzekutive të APD ka 176 vende parkimi të vijëzuara për automjetet.
Parkingjet janë në shërbim të të gjithë operatorëve privatë dhe shtetërorë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre, por ato nuk mund të kthehen në vendbazime për automjetet, në kohën kur drejtuesit e tyre largohen nga territori i portit.
Ndërkaq po proçedohet për instalimin e tabelave orientuese pranë vendparkimeve të automjeteve në territorin portual.
Në të gjitha parkingjet do të zbatohen rigorozisht rregulloret që synojnë përmirsimin e parametrave të sigurisë portuale.