Statistika/ Rriten me 3% hyrje-daljet e pasagjerëve nëpërmjet Portit të Durrësit/ 26 janar 2024 

                                                                                        

Mbi 827 mijë pasagjerë dhe 96,429 automjete kanë udhëtuar nga/ drejt Portit të Durrësit përgjatë vitit 2023.

Referuar të dhënave analitike të APD-së, 409,839 pasagjerë janë regjistruar në hyrje dhe 418,013 në dalje, duke shënuar kështu në diferencë prej 25,137 pasagjerësh ose 3% më shumë krahasuar me vitin parardhës.

Të njejtat burime saktësojnë se, për periudhën progresive 2019-2023, kanë njohur një rritje të konsiderueshme prej 33%, shifrat e hyrje-daljeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, ndërkohë që referuar të njejtës periudhë 5 vjeçare, këto të dhëna pasqyrojnë një rritje mesatare vjetore të udhëtarëve në masën 16%.

Ky trend rritës në sektorin e udhëtarëve është reflektim jo vetëm i një sezoni shumë të suksesshëm turistik por gjithashtu edhe i politikave tarifore të implementuara nga APD, të cilat vijojnë të mbeten të pandryshuara dhe konsistente në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe turizmit vendas.