20 dhjetor 2024
Njësia e Standardeve dhe Cilësisë të APD-së, në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e konsulentëve të TMC (Training Management Consulting), ka nisur ditën e djeshme një trajnim dy ditor dedikuar prezantimit dhe specifikave të teknologjisë 5G për infrastrukturat portuale.
Pjesë e këtij trajnimi 2 ditor janë punonjës të njesive menaxhuese dhe operuese të teknologjisë dhe informacionit në institucion, të cilët po thellojnë njohuritë mbi Projektin 5G në APD, udhërrëfyesin për zbatimin e tij, qëllimin dhe rastet e synuara të përdorimit të kësaj teknologjie në hapësirat portuale, integrimin në sistemet dhe infrastrukturën ekzistuese si dhe vlerësimin e opsioneve të pozicionimit të siteve 5G.
Në kuadër të këtij trajnimi pjesëmarrësit kryen gjithashtu edhe vizita njohëse në terren në funksion të identifikimit të rrjeteve me fibër, vlerësimit të arkitekturës mbështetëse të rrjetit si dhe të dhënat GIS për krijimin e modelit të terrenit.
Zhvillimi i këtyre trajnimeve vjen në kuadër të programeve dhe kurrikulave ndërkombëtare për stafin e APD-së, në funksion të përmirësimit dhe integrimit të sistemeve dhe teknologjive bashkëkohore në institucion por edhe në mbështetje të rritjes së standardeve sa i përket sistemeve të menaxhimit të cilësisë gjatë ushtrimit të aktivitetit portual dhe përmbushjes së rekuizitave për certifikimin ISO të institucionit.