The Word” kroçera me 174 turistë – 40 orë në portin e Durrësit 01 Tetor 2013

174 turistë nga vende të ndryshme të botës kanë mbërritur sot paradite në portin e Durrësit me kroçerën “The World”. Turistët që vijnë kryesisht nga SHBA,  Britania e Madhe, Kanadaja, Hollanda, etj. do të qëndrojnë mbi 40 orë në Durrës dhe kroçera do të niset drejt njërit prej porteve të Malit të Zi të mërkurën në mbrëmje.

Kroçera “The World” me flamur Bahamas ka një gjatësi prej 196 metrash. Ajo mbërriti sot paradite nga Santorini (Greqi) dhe është ankoruar në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Që nga fillimi i muajit shtator në port janë ankoruar tre kroçera dhe dy anije me vela, me një numër të përgjithshëm prej afro 1200 turistësh.

Anija turistike “World”, mjaft luksoze, vjen për herë të parë në Durrës dhe qëndrimi i saj në port një natë përbën gjithashtu një risi për praktikat e zakonshme të kroçerave.

Turistët e ndarë në grupe u nisën sot paradite drejt qyteteve të Tiranës dhe Krujës, ndërsa dy grupe të tjera në drejtimin e guidave të specializuara po njihen me monumentet dhe muzetë e qytetit antik të Durrësit.

Këto anije turistike vazhdojnë lundrimin gjatë gjithë vitit dhe udhëtarët i bashkohen grupit në porte të ndryshme, siç ndodhi me tre turistë nga Hollanda, që filluan turin mesdhetar sot nga porti i Durrësit.