Tragete shtesë për festat e fundvitit në Terminalin e udhëtarëve

Gjatë 10-ditorit të fundit të vitit 2016 në Terminalin e udhëtarëve do të mbërrijnë disa tragete shtesë, përveç mjeteve lundruese të cilat kryejnë rregullisht lundrimet nga Bari dhe Ankona (Itali) drejt portit të Durrësit.

Lundrimi i trageteve shtesë drejt portit më të madh të vendit tonë do të nisë më 22 dhjetor, kur do të mbërrijnë katër tragete gjithsej dhe do të vijojë edhe gjatë muajit janar të vitit 2017.

Vitet e fundit kapacitetet e mëdha të trageteve në linjë kanë mundësuar transportin e një numri të madhe udhëtarësh dhe automjetesh pa nevojën e shtimit të numrit të trageteve edhe në vigjilje të festave të fundvitit.

Në Terminalin e udhëtarëve janë marrë të gjitha masat për pritjen dhe përpunimin e pasagjerëve dhe të autoveturave, numri i të cilëve rritet ndjeshëm në prag të festave të fundvitit. Në oraret e mbërritjes së trageteve Autoambulanca e APD qëndron në gatishmëri së bashku me personelin mjeksor përkatës, për tu ardhur në ndihmë udhëtarëve që mund të kenë probleme shëndetsore.

Më dt 21 dhjetor në portin e Durrësit mbërritën tre tragete me rreth 1520 udhëtarë dhe 350 autovetura gjithsej.