Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 631.587 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër thuajse e njejtë me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Tragetet kanë transportuar afro 545.742 ton mallra, nga të cilat 205 mijë ton mallra për eksport. Megjithëse kanë kryer 106 lundrime më pak, shifrat e transportit të mallrave me tragete në 9 muajt e parë të vitit 2015 janë 2 përqind më të larta se sa ato të periudhës janar – shtator 2014.
Sipas të njejtave burime, 351.338 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 5 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë më i vogël se në dalje, vetëm 280.249 vetë, duke regjistruar një rënie prej 6 përqind. Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 5 përqind, ndërsa është regjistruar një rënie prej 14 përqind e udhëtarëve të huaj që zgjedhin këtë lloj shërbimi. Rritje prej 3 përqind ka patur edhe në transportin e kamjonëve me tragete, ndërkohë që vihet re i njejti numër autoveturash në të dy periudhat 9-mujore
Gjatë këtij 9-mujori tragetet kanë transportuar 125 mijë autovetura dhe mbi 47 mijë kamjonë dhe trajlerë.