Gjatë tre ditëve të fundit, nga Durrësi drejt porteve të Barit dhe Ankonës (Itali) janë nisur me tragete 27.400 udhëtarë me afro 6030 autovetura.
Sipas burimeve të Autoritetit portual, nga dita e premte deri të djelën, 17 tragete me 27.399 udhëtarë dhe 6027 autovetura gjithsej janë nisur nga porti më i madh i vendit drejt porteve italiane të Adriatikut.
Sipas të njejtave burime, kjo është fundjava e parë me një numër shumë të madh udhëtarësh dhe automjetesh që preferojnë lundrimin me tragete nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës. Me të njejtat tragete janë transportuar edhe 175 kamjonë dhe trajlerë me mallra “made in Albania” drejt porteve të Italisë. Koha e përpunimit të udhëtarëve dhe automjeteve në Durrës ka qenë mjaft e shkurtër, falë bashkëpunimit të institucioneve në hapësirën portuale.
Nga të dhënat mësohet se, në tre ditët e fundit në Durrës ka mbërritur një numër shumë më i kufizuar udhëtarësh, vetëm 3256 me 687 autovetura. Drejt Durrësit në 72 orë kanë lundruar 15 tragete, të cilat më pas janë shfrytëzuar për udhëtimin e kthimit nga mijra udhëtarë të tjerë.
Gjatë muajve korrik dhe gusht dhjetra mijë shqiptarë me banim dhe punë në vendet e Evropës perëndimore kaluan pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Prej disa ditësh ka nisur rikthimi masiv i tyre me tragete drejt Barit dhe Ankonës.