Tre anije në përpunim, 6 të tjera në 48 orët e ardhshme

Në kalatat e portit të Durrësit sot po përpunohen tre anije, me 5500 ton mallra dhe 470 kontejnerë gjithsej. Ndërkaq brenda ditës së enjte pritet të ankorohen në port edhe pesë anije të tjera, një prej të cilave ndodhet në radë.

Burime nga dispeçeria portuale, bëjnë me dije se që nga orët e para të ditës së martë në portin më të madh të vendit janë ankoruar dhe kanë nisur të shkarkohen anija “Vega epsilon” me 470 kontejnerë, anija “Gulizar” me 3063 ton ure’ dhe anija “Thunder” me 2429 ton pllaka zdrukthi dhe hekur.

Sipas të njejtave burime, në kalatën 11 do të ankorohet pas disa orësh anija “Maestro Eagle”, që do të shkarkojë 10.999 ton qymyr. Nesër priten në port anijet “Vega Aquila” dhe “MSC Jilhan”, që do të shkarkojnë 263 kontejnerë gjithsej. Në 48 orët e ardhshme do të fillojë edhe përpunimi i anijeve “Amethyst”, “Union” dhe “Angela”, me përkatësisht 3303 ton grurë, 2462 ton llamarinë dhe 5082 ton kripë.

Gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar afro 864 mijë ton mallra gjithsej, ose 12 përqind më shumë se sa në të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Vëllimet e eksporteve dhe importeve të kësaj periudhe nëpërmjet portit më të madh të vendit kanë një diferencë shumë të vogël, prej 26 mijë ton.