Veliera “Sea Cloud, katër lundrime drejt Durrësit në 2019 – 5 shtator 2019
Sot paradite në kalatën 5 të portit të Durrësit u ankorua veliera “Sea Cloud” më 61 turistë të huaj në bord, 50 prej të cilëve nga SHBA, ndërsa të tjerët nga Argjentina, Paraguaj, Gjermania, Italia dhe Kanadaja.
Veliera kreu sot lundrimin e saj të katërt për këtë sezon turistik drejt Durrësit, duke mbyllur kështu edhe turet e vitit 2019 në portin më të madh të vendit. Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se veliera “Sea Cloud” ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Kotorri (Mali I Zi) drejt Durrësit, ndërsa pas një qëndrimi 12-orësh do të vijojë udhëtimin drejt Sarandës, qytetit tonë jugor. Sezoni i anijeve turistike nuk do të përfundojë sot. Nga 14 shtatori deri më 10 nëntor në kalatat e portit më të madh të vendit do të akostohen edhe kroçerat “Nautica”, “La Belle de L’Adriatique”, “Sirena”, “Amera” dhe “Silver Shadow”. Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas.