Të shtunën paradite në portin e Durrësit do të ankorohet velieri luksoz “Sea Cloud”, i cili mbërrin për herë të tretë që nga fillimi i sezonit turistik.
Anija me flamur maltez dhe me gjatësi 109.5 metra do të ankorohet nesër rreth orës 8.00 në kalatën 4 të portit më të madh të vendit. Autoriteti Portual ka marrë masat për krijimin e kushteve normale gjatë qëndrimit 8-orësh të velierit në port.
Kjo anije ka nisur lundrimet turistike në vitin 2012. Në Durrës do të mbërrijnë 59 turistë, 52 prej të cilëve shtetas nga SHBA, ndërsa nuk mungojnë edhe turistë nga Suedia, Polonia, Britania e Madhe, Australia dhe Afrika e Jugut. Velieri luksoz ka një personel prej 58 vetësh.
Nga të dhënat e agjencisë pritëse, velieri vjen në Durrës nga Porto Palermo (Shqipëri) dhe rreth orës 16.00 të ditës së shtunë do të lundrojë drejt Kotorrit (Mali i Zi). Lundrimi i këtij turi ka nisur në ishujt e Greqisë dhe do të përfundojë në ato të Kroacisë-informuan burimet e agjencisë pritëse.
Deri në fund të këtij viti në portin e Durrësit priten edhe 8 kroçera dhe velierë turistikë gjithsej.