Gjatë vitit 2013 në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 53 mijë ton mallra më shumë se sa viti paraardhës.
Statistikat e publikuara nga drejtoria e Autoritetit portual, bëjnë me dije se vitin e kaluar nga anijet dhe tragetet janë ngarkuar dhe shkarkuar 3 milion e 570 mijë ton mallra gjithsej, ose 2 përqind më shumë se sa në vitin 2012. Sipas të njejtave burime, eskportet kanë shënuar një rritje prej 24 përqind, krahasuar me vitin paraardhës, duke arritur shifrën prej 1 milion e 666 mijë ton mallra “made in Albania”.
Tragetet gjatë vitit të kaluar kanë transportuar vetëm 710 mijë ton mallra, ndërsa pjesa tjetër është ngarkuar apo shkarkuar nga anijet vendase dhe të huaja.
Nga statistikat portuale
mësohet se importet kanë pësuar një rënie prej 12 përqind. Gjatë vitit të
kaluar kanë mbërritur në Durrës më se 1.9 milion ton mallra, ose 271 mijë ton
më pak se sa gjatë vitit 2012.
Transporti me kontejnerë ka pësuar një rritje tjetër shumë të ndjeshme, duke i çuar shifrat vjetore të përpunimit në mbi 109 mijë njësi kontejnerike dhe me një rritje prej 21.145 kontejnerë më shumë në krahasim me vitin 2012.
Sasia e përgjithshme e mallrave të transportuar me kontejnerë nëpërmjet Durrësit e kalon shifrën 1.5 milion ton.
Tragetet e linjave kanë transportuar mbi 717 mijë udhëtarë, duke regjistruar një rënie prej 10 përqind, krahasuar me vitin 2012.