25 Qershori Dita Ndërkombëtare e Detarit , “Lundrimi – dje dhe sot”

Si çdo vit edhe këtë 25 Qershor, celebrojmë për të 12-in vit radhazi “Ditën Ndërkombëtare e Detarit”, një iniciativë e Organizatës Ndërkombëtare të Detarisë (IMO).

“Dita Ndërkombëtare e Detarëve” u mbajt për herë të parë në vitin 2010, pas miratimit të një sërë ligjesh ndërkombëtare (MLC) mbi të cilat ishte rënë dakord për të garantuar që të gjithë detarëve t’ju ofrohen nivele të njëjta të trajnimit, mirëqenies së përgjithshme dhe standardeve të sigurisë, ndërkohë që celebrimi i parë i kësaj dite u zhvillua në 2011, pas themelimit të saj nga rezoluta e miratuar nga Konferenca e Palëve në Konventën Ndërkombëtare mbi Standardet e Trajnimit, Certifikimit dhe Mbajtjes së Rojës për Detarët (STCË), më 1978, mbajtur në Manila, Filipine, në Qershor 2011, e cili miratoi edhe rishikimet kryesore të Konventës dhe Kodit STCË. “Dita Ndërkombëtare e Detarëve” është përfshirë tashmë në listën e celebrimeve të përvitshme të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2011, kremtimi i kësaj dite mori trajtën e një fushate të zhvilluar online, nëpërmjet së cilës IMO e transferoi aktivitetin dhe eventet në celebrim të kësaj dite në mirënjohje të kontributit të detarëve edhe në teknologjinë online me përdorimin e rrjeteve sociale.

Që prej miratimit zyrtar të kësaj dite në vitin 2011, synimi i saj ka qenë përqendrimi i  vëmendjes së publikut në kontributin e pazëvendësueshëm të detarëve në komunitetin global ndaj dhe tema e këtij viti i dedikohet veçanërisht eksperiencave të detarëve në lundrim.

Roli i detarëve shpesh nënvlerësohet si brenda industrisë detare po ashtu edhe nga komuniteti por ata janë një komponent thelbësor dhe i pazëvendësueshëm në tregtinë botërore.Çdo ditë, qindra mijëra detarë janë në bordin e anijeve, ndërkohë që shumë të tjerë përgatiten për lundrimin e rradhës. Anijet e tyre janë mobilizuesit parësorë të tregtisë botërore dhe motorët e ekonomisë globale të cilat e mbajnë atë në lëvizje duke shpërndarë mallrat dhe karburantet që përdorim çdo ditë si dhe në përcaktimin e prosperitetit ekonomik në mbarë botën.

Për vitin 2022, fushata e Ditës Ndërkombëtare të Detarëve, mban temën “Lundrimi juaj – dje dhe sot, ndani eksperiencën tuaj”, një vështrim në eksperiencat shumëvjeçare të detarëve, si kanë qenë ato dhe si ka evoluar me kalimin e viteve duke vendosur në fokus atë çka mbetet në zemër të realitetit të jetës në det.

Fushata e këtij viti ka në qendër lundrimet, karrierat dhe jetën e  detare të cilat do të pasqyrohen nëpërmjet imazheve fotografike që detarët do të ndajnë në mediat sociale të cilat paraqesin karrierat e tyre prej ditës së parë të angazhimit në sektorin detar deri në lundrimet më të fundit të zhvilluar prej tyre, duke nxjerrë në pah ndryshimet të cilat ka pësuar transporti detar ndër vite si në aspektin teknologjik, në politikat e gjelbra etj…

Kjo fushatë ju jep detarëve një mundësi për të ndarë atë që rezonon aktualisht me realitetin e tyre, pavarësisht nëse kjo ka të bëjë me vështirësitë e hasura në ndryshimet e ekuipazheve që përbën ende një problematikë tepër të nxehtë në industrinë detare apo dhe të ardhmen e teknologjisë në sektorin detar.

#Seafarerjourney është hashtagu i dedikuar  nga IMO për fushatën e këtij viti në mediat sociale. Ky hashtag mund të përdoret nga kushdo që dëshiron të angazhohet në këtë fushatën por edhe ata të clët dëshirojnë ti shprehin mirënjohjen  dhe vlerësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të detarëve në mirëqenien dhe përditshmërinë tonë. Vetë detarët mund ta përdorin atë për të treguar eksperiancat e tyre në det.

Transporti detar është një mënyrë të jetëse për ata qindra mijëra detarë të cilët ja kanë dedikuar jetën lundrimit, është një karrierë domethënëse e kuptimplotë e cila ofron një themel solid për jetën dhe mundësi të pafund për të mësuar dhe përparuar.Eksperienca e çdo detari është unike  e megjithatë, shumë nga sfidat dhe mundësitë janë ato çka i bëjnë bashkë.

Sot, pas dy vitesh, pandemia COVID-19 ende paraqet një mjedis pune sfidues, me vështirësi të vazhdueshme në  ndryshimet e ekuipazheve dhe aksesin në shërbimet mjekësore për një numër shumë të madh punonjësish në bordet e anijeve dhe në breg. IMO vazhdon të nxisë shtetet që të mbështesin detarët duke i konsideruar ata si punonjës së vijës së parë, në mënyrë që lundrimi i çdo detari të mund të kryhet në ujëra më të qeta.

Në këtë ditë të detarit, ne gjithashtu shohim drejt të ardhmes. Teknologjitë e reja, pajisjet inovative dhe nevoja për ta bërë transportin detar  më të gjelbër paraqesin si sfida  po ashtu  edhe mundësi të  panumërta por me kontributin e vazhdueshëm të detareve, transporti lundrimor do të ngrihet mbi ato sfida duke i hapur rrugënzhvillimit të qendrueshëm në vitet që do të pasojnë.