76 vjet më parë, në ditën e çlirimit të tij, Durrësi ishte një qytet plotësisht i boshatisur.
Forcat partizane dhe ato guerilase hynë më 14 nëntor të vitit 1944 për herë të parë, një vit pasi qyteti ishte zbrazur me forcë nga pushtuesit.
Për një vit radhazi forcat naziste minuan portin detar dhe të gjithë vijën bregdetare në kuadër të një operacioni strategjik dhe operativ, për të mos lejuar zbarkimin e mundshëm të forcave aleate anti-fashiste.
Jeta e qytetit antik gjatë atij viti është përshkruar plot forcë dhe realizëm në romanin “Njeriu i netëve të vjeshtës” të shkrimtarit të ndjerë Gjergj Vlashi.
Është një dëshmi letrare e fuqishme dhe njerëzore për njerëzit e qytetit bregdetar, i cili në 3000 vitet e jetës së tij ishte boshatisur për shkak të tërmeteve apo pushtimeve, por asnjëherë nuk ishte bërë pre’ e një rreziku të madh për të ardhmen e tij.
Publicisti Besnik Alibali në librin e tij “50 vjet mbi mina” ka shkruar se gjatë operacionit nazist të koduar me emrin “Shëtitje në port” përvec përqëndrimit të një armatimi të rëndë kundër ajror, nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor të vitit 1944 forcat naziste kryen punime fortifikuese tepër të fuqishme dhe vendosën pengesa të mëdha kundërtankeve dhe këmbësorisë.
Në bregdetin e Durrësit dhe në portin detar u instaluan mbi 100 mijë mina kundërtanke; mbi 200 mijë të tjera kundër këmbësorisë si dhe dhjetra e qindra mina surprizë dhe të tjera me veprim të ngadalshëm.
Sipas Alibalit të ndjerë, nga dokumentat e kohës mësohet se plazhi i Durrësit nga Currilat deri në Shkëmbin e Kavajës ishte tërësisht i minuar, ndërsa dëndësia e minimit ishte e jashtëzakonshme: në cdo metër linear front ishin “mbjellë” 5 mina. Krahasuar me numrin e popullsisë së Durrësit, çdo qytetar rrezikonte nga 7 mina njëherësh.
Durresi konsiderohej nga forcat naziste si një nga pikat më të mundshme të zbarkimit të forcave aleate në përfundim të luftës së dytë botërore.
Alibali shkruan se operacioni i çminimit nisi menjëherë pas clirimit.
“Ishte një ndërhyrje e madhe “kirurgjikale”, për të shkulur rrënjët e vdekjes nga toka shqiptare-thotë Alibali. Ai thotë se të gjithë ata që morrën pjesë në çminimin e Durrësit dhe të zonave të tjera në Shqipëriishin luftëtarë të vendosur dhe demokratë të vërtetë.
Mes tyre ishin edhe dëshmorët e parë Arif Osmani, Dilaver Hamzai, Zenel Skendo, Panajot Haxhimihali e Haziz Tala, të cilët dhanë jetën për ti kthyer njerëzve qetësinë dhe sigurinë, për t’i kthyer fëmijëve buzëqeshjen dhe gëzimin.