Rritja e parametrave të sigurisë portuale në territorin e Portit të Durrësit nëpërmjet shkëmbimit të ekspertizës me organizmat më të mira ndërkombëtare, mbetet një ndër sfidat e APD-së. Në këtë kuadër, efektivi i Forcës së Sigurisë Portuale Durrës, po zhvillojnë një trajnim në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Tiranë, të përfaqesuar nga Departamenti i Policisë franceze.
Trajnimi 4 ditor që po zhvillohet i koordinuar mes teorisë dhe praktikës, trajton tema thelbësore mbi sigurinë portuale, ku në fokus mbetet rritja e efiçencës së shërbimit dhe sigurisë gjatë monitorimit të territorit portual, teknikat dhe planet e sigurisë në këtë pikë kyçe të kalimit kufitar në vend, vlerësimi dhe parandalimi i veprimtarive të paligjshme me një theks të veçantë në kontrollet e sigurisë fizike dhe atë të transportit me konteinerë.
Modernizimi i Forcës së Sigurisë Portuale, si dhe përfitimi i ekspertizës më të mirë në parandalimin e paligjshmërisë, është një ndër prioritetet e APD-së për rritjen e performancës dhe standardeve të sigurisë në territorin portual.
Në fund të trajnimit, punonjësit e sigurisë do të pajisen me certifikata nga Policia Franceze.