APD/ Fiskalizimi, 5 958 fatura elektronike të lëshuara vetëm gjatë 2021/ 18 janar 2021

Autoriteti Portual Durrës i është përgjigjur menjëherë reformës së qeverisë mbi fiskalizimin, duke u bërë ndër kompanitë e para shtetërore në vend që e aplikoi me sukses atë.

Kjo formë e re e raportimit financiar, u mundëson të gjithë operatorëve portual dhe çdo përdoruesi të portit, jo vetëm faturimin në rrugë elektronike sa i përket mallrave dhe shërbimeve, por edhe mundësinë e gjurmimit të çdo transaksioni (fature) nëpërmjet një numri identifikues të dedikuar (NIVF). Nëpërmjet këtij procesi nuk ka asnjë ndryshim në peshën e detyrimeve të tatimpaguesve dhe përdoruesve portualë, por ofron transparencë maksimale në marrëdhëniet e biznesit.

Duke konsideruar volumin e madh të faturave që APD gjeneron çdo muaj, procesi i fiskalizimit të faturës është realizuar nëpërmjet një zgjidhjeje softuerike të certifikuar e cila, së shpejti do të integrohet në mënyrë automatike edhe me sistemin financiar të brendshëm të APD për të mundësuar automatizim të plotë të procesit të lëshimit të faturës, duke reduktuar kohën e përpunimit nga ana e operatorëve portualë por gjithashtu edhe duke eliminuar vonesat e panevojshme për klientët.

Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Divizioni i Financës së APD, si struktura përgjegjëse për implementimin e këtij procesi, është bërë me dije se gjatë vitit 2021 APD janë lëshuar në total 5 958 fatura fiskale në përputhshmëri të plotë me këtë proces.

Për lehtësimin e transaksioneve si dhe në funksion të transparencës maksimale dhe në kohë reale, Autoriteti Portual Durrës, inkurajon të gjithë subjektet, të cilët operojnë dhe janë përdorues të shërbimeve portuale, të implementojnë versionin elektronik të faturimit në marrëdhëniet financiare me portin, i cili ofron lehtësi në aksesim, shkurtim në kohë të shërbimeve, gjurmim në kohë reale të faturave elektronike si dhe shmangie të përpilimit të dokumentacioneve dhe prezencën fizike në zyrat tona.

Implementimi i fiskalizimit, ka në fokus minimizimin e evazionit fiskal gjatë transaksioneve si dhe raportimin në kohë reale të këtyre të fundit pranë Administratës Tatimore.