APD pjesë e Grupit Ndërinstitucional për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimin e Tregtisë/ 22 tetor 2021

Grupi Ndërinstitucional për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimin e Tregtisë (KKLT) zhvilloi sot mbledhjen e tij të 12-të, nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj.
Në këtë mbledhje u diskutuan çështje të rëndësishme të barrierave jo tarifore me vendet e Ballkanit si dhe çështje të kostove tregtare, duke përfshirë kostot e transportit dhe logjistikës detare.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Porti i Durrësit propozoi sot disa masa të reja që do vijnë në ndihmë të importuesve, transportuesve dhe eksportuesve, si pjesë e Planit të Veprimit trevjeçar, bazuar në nevojat dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, gjatë mbledhjeve të mëparshme:

  • Ofrimin e lehtësive operacionale për operatorët portualë dhe detarë që do të kualifikohen si Operatorë Ekonomikë të Autorizuar nga MFE/Dogana Shqiptare dhe atyre që ushtrojnë veprimtari prodhuese për eksport,
  • Politika tarifore dinamike, të përshtatura me ecurinë e tregut të transportit dhe logjistikës detare ndërkombëtare,
  • Vëmendje e shtuar dhe masa mbështetëse për rritjen e standarteve të anijeve me flamur shqiptar dhe për operatorët portualë dhe detarë që zbatojnë standarte të larta mjedisore,
  • Integrimi i sistemeve të menaxhimit të anijeve dhe ngarkesave portuale (Blue Lanes dhe Single Maritime Window) mes Doganës, Portit të Durrësit dhe Administratës Detare, në funksion të rritjes së sigurisë dhe uljes së kohës së përpunimit për bizneset,
  • Integrimi i Kosovës në hallkat logjistike portuale dhe detare duke ofruar lehtësi operacionale për përpunimin tranzit në Portin e Durrësit dhe në terminale të tjera logjistike në tokë.

Duke vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin me MFE, Doganat dhe AKU, në Pikën kufitare të Durrësit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Pirro Vengu, shprehu gjithashtu gatishmërinë e plotë të Autoritetit Portual për të jetësuar të gjitha masat lehtësuese që do të gjykohen të nevojshme nga KKLT.