Fillimi i sezonit turistik dhe rritja e temperaturave ka shtuar kujdesin e organizmave dhe institucioneve për masat në mbrojtjen nga zjarri.
Në mjediset e APD, Drejtoria e MZSH në Bashkinë e qytetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Mjedisit, Sigurimit teknik, Mbrojtjes së shëndetit dhe Emergjencave po ushtrohet inspektim disaditor për masat në mbrojtjen nga zjarri.
Sot paradite, në një Takim që u zhvillua në Sallën e Trajnimeve të APD, Blerina Hasani, drejtore e Mjedisit nënvizoi rëndësinë e njohjes së skemës portuale të mbrojtjes nga zjarri, si dhe të krijimit të skuadrave të reagimit në çdo sektor.
Fatmir Taraj, oficer-inspektor për parandalimin në Drejtorinë e MZSH Durrës zhvilloi një trajnim të shkurtër konkret mbi përdorimin e fikseve të zjarrit, çka parandalon rreziqe mjaft të mëdha.
Në të njejtën linjë edhe shefi i sektorit zjarrfikës në APD, Florel Tola, rikujtoi rëndësinë që ka njohja e mjeteve zjarrfikëse në përdorim brenda zyrave dhe mjediseve portuale.
Në Takim u tha se “Autoriteti Portual Durrës, si objekt i rëndësisë së veçantë, bëhet institucioni i parë që merr nismën për ndërtimin e infratrukturës përkatëse në përputhje me ligjin e parandalimit, mbrojtjes dhe shpëtimit nga zjarri, si dhe ngritjen e skuadrës vullnetare, me punonjës nga çdo Drejtori dhe Sektor i APD, në bashkëpunim me Repartin e PMNZSH së Portit”.