Autoriteti Portual Durrës në vitin 2019 me Plan-Buxhetin e miratuar -8.6 milion euro nga APD vetëm për thellimin e Basenit dhe të Kanalit hyrës-

Autoriteti Portual Durrës e ka nisur vitin 2019 me Buxhetin e miratuar që në javën e fundit të vitit të kaluar. Pas disa takimesh radhazi, Plan-buxheti i APD për vitin 2019 morri miratimin e Këshillit Drejtues të APD dhe tashmë porti më i madh i vendit ka nisur veprimtarinë mbi bazën e një plani financiar të përcaktuar qartë.

Elementi kryesor në Tabelën e Investimeve për vitin 2019 do të jetë zbatimi i projektit të Thellimit të Basenit dhe Kanalit hyrës në port, me një financim nga vetë APD prej 8.6 milion euro pa tvsh.

Thellësia aktuale e kanalit dhe e basenit është 7.5 metra, ndërsa pas investimit pritet thellësia 10.5 metra, që do të mundësojë përpunimin e anijeve me gjatësi 174 metra dhe me 1000 kontejnerë TEU. Gjatësia e përgjithshme e kanalit të thelluar do të jetë 6.755 metra, ndërsa gjërësia nga 115 – 303.5 metra.

Ka filluar proçesi i prokurimit dhe në momentin e njoftimit të fillimit të punimeve, afati i përfundimit është 5 muaj.

Pas konsultimeve me kompanitë konçesionare të tre Terminaleve, APD parashikon gjatë vitit 2019 një rritje prej 6 përqind të volumit të mallrave të përpunuara, krahasuar me vitin paraardhës. Të njejtën rritje, 6 përqind, pritet të ketë edhe numri i kontejnerëve TEU të përpunuar në Terminalin përkatës, ndërsa parashikohet një rritje më e vogël e numrit të udhëtarëve me tragete.