CEMA dhe Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë, praktikë njohëse në Portin e Durrësit për Kursin e Lartë të Oficerit/ 29 mars 2023

Në zbatim të programit mësimor me Kursin e Lartë të Oficerit (KLO), Qendra e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) në bashkëpunim me Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka zhvilluar ditën e sotme një praktikë njohëse me kursantët e KLO në hapësirat e Portit të Durrësit, si pjesë e strukturave kyçe të vendit tonë.

Kursi i Lartë i Oficerit është kursi më i lartë në hierarkinë e arsimit ushtarak profesional shqiptar, i cili ka një rëndësi të veçantë sepse realizon kalimin e përgatitjes së oficerit nga niveli taktik në atë operativ dhe strategjik. Ky kurs përgatit oficerë të gradës nënkolonel komandues dhe shtabi të nivelit operativ-strategjik, të aftë për të vepruar në mjedise strategjike dhe operacionale si dhe për të trajtuar me efektivitet problemet komplekse që lidhen me sigurinë kombëtare veçanërisht në rrethanat e shqyrtimit të opsioni politik për përdorimin e fushës ushtarake.

Në fokus të këtij kursi, në të cilin morrën pjesë edhe kursantë nga Republika e Kosovës ishte dhënia e një vështrimi të përgjithshëm mbi kapacitetet aktuale të portit, të cilat lidhen me përpunimin e mallrave dhe mjeteve si dhe procedurat e imbarkimit dhe zbarkimit të mjeteve lundruese. Një theks të veçantë në këtë aktivitet morrën edhe dy projektet e reja të qeverisë shqiptare për rivitalizimin e infrastrukturës portuale siç është kompleksi i ri portual Durrës-Porto Romano, ku interes të shprehur nga ana e kursantëve pati veçanërisht mbi projektin e bazës autonome ushtarake e cila është pjesë integrale e rëndësishme e portit të ri në Porto Romano që do të operojë në funksion të Forca Ushtarake Vendase dhe NATO-s.

Në kuadër të programit mësimor të KLO u ofruan për kursantët edhe njohuritë mbi parapërgatitjen për zhvillimin e stërvitjeve me vetëkomandë si dhe njohja e pikave të mundshme të zbarkimit të një strukture operacionale (CJTF) në funksion të stërvitjeve apo misioneve të mundshme të NATO-s të cilat u shoqëruan me vizita në terren në terminalet e Portit të Durrësit.