Dhurimi vullnetar i gjakut në dy ditë, nga punonjësit e APD-ës 20 dhjetor 2013

Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Bankën Lëvizëse të Gjakut kanë organizuar sot ditën e parë të fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut. Veprimtaria ku marrin pjesë të gjithë punonjësit portualë zhvillohet në mjediset e Shërbimit Mjeksor pranë APD-ës dhe do të vazhdojë edhe më datë 23 dhjetor 2013.

“Kush dhuron gjak, shpëton një jetë” është moto e kësaj nisme. Dhurimi i gjakut bëhet në kushte optimale higjenike, në prani të stafit mjeksor të kualifikuar. Fillimisht çdo dhurues i nënshtrohet matjes së tensionit arterial, temperaturës dhe nivelit të hemoglobinës për të përcaktuar gjëndjen shëndetsore para dhurimit.

Pranë mjediseve janë në gadishmëri të plotë dy autoambulanca, ajo e portit, e cila do të asistojë në rast nevoje për dhuruesit e gjakut dhe një e dytë e mundësuar nga Banka e Dhurimit të Gjakut. Stafi mjeksor i portit është i pranishëm me një personel të përbërë nga 3 mjekë, 2 ndihmësmjekë dhe dy shoferë, të gatshëm të përballojnë ndihmën e parë dhe rastet e emergjencave mjeksore.

Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Ministria e Shëndetësisë kanë lidhur një marrëveshje për fushatën përkatëse në institucione të ndryshme të qytetit të Durrësit. Pas dhurimit vullnetar të gjakut “Banka e Gjakut”, pajis çdo dhurues me Kartelën e Rezultateve të analizave të gjakut që përfshijnë disa të dhëna (grupin e gjakut dhe rezusin, kolesterolin, proteinat totale, Hepatitin B dhe C, Hiv1, Hiv2 etj. )