Kombet e Bashkuara (KB), nëpërmjet Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), krijuan “Ditën Botërore Detare” për të celebruar kontributin e industrisë ndërkombëtare detare në ekonominë botërore dhe transportit detar në veçanti. Data e përcaktuar në nder të kësaj dite ndryshon nga viti dhe vendi respektiv në të cilin mbahet eventi i përvitshëm, por është pikërisht një nga ditët e javës së fundit të muajit shtatorit e cila i dedikohet këtij celebrimi.
“Dita Botërore Detare” këtë vit do të mbahet në selinë e IMO në datë 26 Shtator 2020, ndërkohë një event paralel do të organizohet në Durban, në Afrikën e Jugut në javën e fundit të Tetorit.
Viti 2020 shënon fillimin e një dekade veprimi dhe gjithëpërfshirjeje sa i përket qëllimeve dhe objektivave me natyrë globale të Kombeve të Bashkuara, çka për rrjedhojë parashikon dhe një dekadë vendimtare jo vetëm për industrinë e transportit detar por dhe për jetën e planetit në tërësi.
“Transport i qëndrueshëm, për një planet të qëndrueshëm”, është subjekti i përzgjedhur i eventit të këtij viti për “Ditën Botërore Detare 2020”, i cili synon rritjen e ndërgjegjësimit publik në raport me “Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm” (SDG) të Kombeve të Bashkuara si dhe ofron fleksibilitetin e nevojshëm për Sekretariatin e IMO dhe Shtetet e saj Anëtare në nënvizimin dhe nxjerrjen në pah të punës, përpjekjeve serioze, problematikave dhe sfidave të panumërta të hasura deri më tani në kuadër të përmbushjes së këtyre objektivave dhe të Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030. Në të njëjtën kohë eventi i këtij viti ofron edhe një mundësi të jashtëzakonshme për të evidentuar kontributet e rëndësishme të transportit detar dhe vetë IMO-së në krijimin e një të ardhme të qëndrueshme në rang global e cila ju mundëson drejtuesve nga sektorë të ndryshëm të detarisë të reflektojnë mbi punën e bërë deri tani si dhe hapat urgjente që ata planifikojnë të ndërmarrin më tej në funksion të realizimit të synimeve të paravendosura drejt një të ardhme sa më të qëndrueshme.
“Qëllimet për Zhvillimin e Qëndrueshëm”- Agjenda 2030 e Kombeve të Bashkuara
Në vitin 2015, 193 vende miratuan Agjendën 2030 për “Zhvillimin e Qëndrueshëm” dhe 17 Qëllimet e saj të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SGD).
Kjo Agjendë synon angazhimin aktiv dhe kontributin e të gjithë vendeve anëtare në funksion të ç’rrënjosjes së varfërisë dhe arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm deri në vitin 2030 në të gjithë globin. Agjenda respektive e sheh (SGD) si një mundësi për të transformuar botën nëpërmjet strategjive të qëndrueshme të cilat ekuilibrojnë nivelet e zhvillimit ekonomik dhe zbehin luhatjet e konsiderueshme të cilat çojnë drejt një balancimi të standarteve në rang global.
Si pjesë e familjes së Kombeve të Bashkuara, IMO po punon në mënyrë interaktive për të çuar përpara Agjendën 2030 për “Zhvillim të Qëndrueshëm” dhe suplementeve të saj. Shumica e elementeve të Axhendës 2030 mund të realizohen vetëm me kontributin e një sektori të qëndrueshëm të transportit siç është ai detar që mbështet masivisht tregtinë botërore dhe ndërmjetëson mbarëvajtjen e ekonomisë globale.
Ndërkohë, industria e transportit detar, me mbështetjen e kuadrit rregullator të IMO, tashmë ka filluar tranzicionin drejt realizimit të këtyre objektivave të paracaktuara nga kjo axhendë në funksion të arritjes së një ecurie sa më të qëndrueshme në të ardhmen. IMO ka miratuar dhe do të vazhdojë të zhvillojë masa për uljen e emetimeve të gazeve, për reduktimin e squfurit në përmbajtjen e karburanteve të anijeve, për zbatimin sa më rigoroz të Konventës së Administrimit të Ujërave 2004, për mbrojtjen e rajoneve polare, për uljen e sasisë së mbetjeve detare, për përmirësimin dhe efikasitetin e transportit përmes shkëmbimit elektronik të informacionit, për përmbushjen e sfidave të pasuara nga dixhitalizimi i transportit detar si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së grave në komunitetin detar.
IMO është e pajisur strategjikisht, në përputhje me qasjen e paraqitur në Strategjinë e SDG të Sekretariatit të IMO, për të vepruar sipas mundësive të pashfrytëzuara të teknologjive, financave dhe partneriteteve të reja për përfitimet e ardhshme të industrisë së transportit dhe njerëzimit në tërësi.