Kombet e Bashkuara kanë përcaktuar datën 8 qershor të çdo viti si një ditë dedikuar celebrimit të jetës ujore cilësuar si “Dita Botërore e Oqeaneve”.
Oqeanet luajnë një rol të madh në përditshmërinë e njerëzimit në mbarë botë duke mbuluar mbi 70% të hapësirës së planetit tonë, janë burimi ynë i jetës, i cili mbështet mbijetesën njerëzore dhe atë të çdo organizmi tjetër në tokë.
Oqeanet dhe detet janë mushkëritë e planetit tonë dhe një pjesë e rëndësishme e biosferës, ato prodhojnë të paktën 50% të oksigjenit të planetit dhe janë shtëpia e shumicës së biodiversitetit tokësor si dhe burimi kryesor i proteinave për më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën, për të mos harruar faktin që ato janë thelbësorë për ekonominë tonë me rreth 40 milion njerëz të punësuar nga industritë e bazuara në oqeane dhe dete.
Megjithë benefitet dhe përfitimet e shumta që bota ujore mbart për njerëzimin, është pikërisht ajo që sot ka nevojë për mbështetje.
Me 90% të popullatave të mëdha të peshqve të cënuara nga peshkimi dhe 50% të barrierave koralore të shkatërruara, njerëzimi aktualisht po merr nga bota nënujore përtej asaj që ajo vetë mund të rigjenerojë. Për të mbrojtur dhe konservuar jetën oqeanike dhe detare dhe gjithçka që ajo mbart, ne duhet të krijojmë një ekuilibër të ri, të rrënjosur në kuptimin e vërtetë të oqeanit dhe mënyrës se si njerëzimi lidhet me të. Ne duhet të ndërtojmë një lidhje me oqeanin që është gjithëpërfshirëse, inovative dhe e bazuar në informacione të përftuara nga mësimet e së kaluarës.
Dita Botërore e Oqeaneve ofron një mundësi për mbarë boten për tu informuar mbi atë çka sjellin aktivitetet ekonomike dhe ndikimin e veprimeve njerëzore në oqeane dhe dete. Në 1973, u formua “Organizata Ndërkombëtare Detare”-IMO e cila ka për qëllim adresimin e çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me ndotjen nga emetimi i gazrave të anijeve, nga substancat e lëngshme të dëmshme të derdhura pa kriter, ujërat e zeza, mbeturinat dhe kontrollimin e ndotjes së ajrit nga anijet.
“Oqeanet: Jeta dhe Gjallesat” është tema e përzgjedhur për Ditën Botërore të Oqeaneve 2021, e cila synon të konsolidojë bashkëpunimin botëror me fokus “zhvillimin e kërkimeve shkencore dhe teknologjive inovative që mund të lidhin shkencën e studimeve oqeanike dhe detare me nevojat e shoqërisë” për periudhën e ardhshme 2021- 2030.
Ajo gjithashtu vjen edhe në trajtën e një deklarate objektivash e cila starton një dekadë sfidash për një zhvillim të qëndrueshëm i cili ka në fokus ruajtjen dhe përdorimin në mënyrë të qëndrueshme të oqeaneve, deteve dhe burimeve ujore, deri në vitin 2030.
“Dita Botërore e Oqeaneve 2021”, 10 fakte interesante mbi jetën detare.