Dita Ndërkombëtare e Detarëve 25 qershor,
25 Qershori njihet si “Dita Ndërkombëtare e Detarëve”, ditë kjo e cila njeh dhe vlerëson kontributin e paçmuar që detarët japin në tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë botërore, shpesh me kosto të mëdha personale për veten dhe familjet e tyre. Roli i detarëve shpesh nënvlerësohet brenda industrisë detare dhe nga shoqëria por ata janë një komponent thelbësor në tregtinë botërore, duke mbajtur ekonominë në lëvizje dhe duke shpërndarë mallrat dhe karburantet që përdorim çdo ditë si dhe në përcaktimin e prosperitetit të ekonomisë në mbarë botën.
Në këtë kuadër, qeveritë, organizatat e transportit, kompanitë, pronarët e anijeve dhe të gjitha palët e tjera të interesuara, promovojnë dhe kremtojnë këtë ditë për t’i dedikuar një vlerësim sa më kuptimplotë të gjithë punonjësve të sektorit detar.
“Dita Ndërkombëtare e Detarëve” u mbajt për herë të parë në 2010 pas miratimit të një sërë ligjesh ndërkombëtare (MLC) mbi të cilat ishte rënë dakord për të garantuar që të gjithë detarëve tju ofrohen nivele të njëjta të trajnimit, mirëqenies së përgjithshme dhe standardeve të sigurisë, ndërkohë që celebrimi i parë i kësaj dite u zhvillua në 2011, pas themelimit të saj nga rezoluta e miratuar nga Konferenca e Palëve në Konventën Ndërkombëtare mbi Standardet e Trajnimit, Certifikimit dhe Mbajtjes së Rojës për Detarët (STCW), 1978, mbajtur në Manila, Filipine, në Qershor 2011, e cili miratoi edhe rishikimet kryesore të Konventës dhe Kodit STCW. “Dita Ndërkombëtare e Detarëve” është përfshirë tashmë në listën vjetore të celebrimeve të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2011, kremtimi i kësaj dite mori trajtën e një fushate të zhvilluar online, nëpërmjet së cilës IMO e transferoi aktivitetin dhe eventet në celebrim të kësaj dite në mirënjohje të kontributit të detareve edhe në teknologjinë online me përdorimin e rrjeteve sociale.
Duke gjeneruar ndërveprim në rrjetet e sektorit detar dhe jo vetëm, ky celebrim synon ti dedikojë respektin dhe mirënjohjen e merituar detarëve në mbarë botën si dhe ofron një mundësi për të shprehur falenderimet dhe vlerësimin kundrejt 1.5 milionë detarëve për kontributin unik dhe shpesh të neglizhuar në mirëqenien sociale dhe ekonominë globale.
Celebrimi universal i kësaj dite edhe nëpërmjet mediave sociale synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rolin jetësor që luajnë detarët në ekonominë botërore dhe në shumë aspekte, siç është zhvillimi i qëndrueshëm,duke u mundësuar anijeve të mbulojnë më shumë se 90% të tregtisë botërore në mënyrë të sigurt, me efikasitet dhe me ndikim minimal në mjedis.
Aktivitetet e kësaj dite ofrojnë gjithashtu një mundësi për të njohur dhe informuar publikun në lidhje me problematikat me të cilat përballet detari i ditëve moderne – çështje të tilla si pirateria. Por, sot ajo që është më e rëndësishme është që ne të gjithë të gjejmë rastin të themi “Faleminderit detarë”!.
Dita e Detarëve 2020 u përqendrua në nxitjen e qeverive për të njohur detarët si punonjës së vijës së parë dhe lehtësimin e kufizimeve që ata ishin të detyruar të përballeshin të cilave ndikuan në ndryshimet e ekuipazhit.
Këtë vit, fushata për një mbështetje më të madhe për detarët gjatë periudhës post pandemike do të vijojë, ndërkohë që një theks i veçantë do të vendoset mbi domosdoshmërinë e ofrimit të standardeve të barabarta ndaj detarëve sa i përket mundësive të trajnimit, standardeve të sigurisë dhe mirëqenies në vendin e punës.
Fushata e këtij viti do të mbulojë një sërë çështjesh të rëndësishme duke filluar nga standardet e ndryshme ndërmjet kombeve të caktuara deri në pabarazitë gjinore, përfshirë rolin e grave në detari dhe vlerësimin që ata marrin në këtë kuadër.
Fushata 2021 – Një e ardhme e drejtë për Detarët
Në vijimësi të pandemisë COVID-19, detarët e gjetën veten si në vijën e parë të kundërpërgjigjes globale po ashtu edhe nën trysninë e kushteve të vështira të punës të cilat erdhën si pasojë e saj, sa i përket aksesit në porte, ri-furnizimit të anijeve, ndryshimeve të ekuipazheve, riatdhesimit, etj.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, fushata për “Ditën Ndërkombëtare të Detarit” vitin e përqendroi mesazhin e saj rreth nxitjes së organeve vendimmarrëse dhe qeverive për të njohur dhe trajtuar problematikat e detarëve si punonjës së vijës së parë në kuadër të lehtësimit të kufizimeve gjatë lundrimit dhe në veçanti ato të hasura gjatë ndryshimeve të ekuipazhit.
Fushata 2021 për Ditën Ndërkombëtare të Detarëve do të vijojë të inkurajojë qeveritë të mbështesin detarët gjatë kufizimeve të pandemisë duke zgjeruar impaktin e saj dhe duke bërë thirrje për një të ardhme të drejtë për detarët.
Fushata do të ketë në fokus çështje të rëndësisë parësore për detarët të cilat krijojnë ngërçe gjatë edhe pas pandemisë, të tilla si trajtimi i drejtë i detarëve, kushtet e drejta të punës (në përputhje me Konventën e Punës Detare të ILO), trajnimi i drejtë, siguria e duhur, etj.
Organizatat mbështetëse të sektorit detar gjithashtu do ti bashkohen iniciativës për të demonstruar mbështetjen ndaj detarëve dhe shpresën për një të ardhme më të mirë për ta.