Në 1999, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rekomandimin e “Konferencës Botërore të Ministrave Përgjegjës për Rininë” (Lisbonë, 8-12 Gusht 1998) që data 12 Gusht të shpallet “Dita Ndërkombëtare e Rinisë”.
Tema e përzgjedhur për fushatën e “Ditës Ndërkombëtare të Rinisë 2020”, është “Angazhimi i të Rinjve për Bashkëveprim Global”. Kjo fushatë ka në fokus mënyrat nëpërmjet të cilave angazhimi, zëri dhe aktivizmi i të rinjve në nivel lokal, kombëtar apo global mund të kontribuojë në mbarëvajtjen e institucioneve, proceseve kombëtare dhe multilaterale si dhe mund të përfaqësojë një vlerë të shtuar në përmirësimin e frymës politike dhe institucionale.
Sistemet ndërkombëtare të qeverisjeve aktualisht janë duke u përballur me një krizë të ligjshmërisë në këndvështrimin e të rinjve, çka vjen si pasojë e një bote gjithnjë e më të polarizuar e cila është kryesisht e rrënjosur në mangësitë e sistemeve për të bashkëverpuar në formë koncertale dhe për të gjeneruar zgjidhe për kërcënimet që i kanosen kësaj gjenerate rinore siç janë konfliktet e ndryshme botërore, emergjencat humanitare si dhe sfidat globale, si pandemia COVID-19 dhe ndryshimet klimaterike.
Nëpërmjet gjithëpërfshirjes së të rinjve në mekanizmat politikë, mundësohet intesifikimi i proceseve të drejta politike të cilat minimizojnë deficitet demokratike dhe kontribuojnë në politikamë të qëndrueshme çka për rrjedhojë ka dhe një rëndësi simbolike e cila ndihmon në rikthimin e besimin të këtij brezi me potencial të jashtëzakonshëm në institucionet publike.
Shumica e sfidave me të cilat përballet njerëzimi aktualisht, siç është shpërthimi i COVID-19 dhe ndryshimet klimaterike, kërkojnë veprim të bashkërenduar global si dhe angazhim e pjesëmarrje kuptimplotë të të rinjve për ti adresuar ato në mënyrë efektive.
Fushata dedikuar “Ditës Ndërkombëtare të Rinisë 2020” synon të hedhë dritë mbi domosdoshmërinë e cila trumbeton angazhimin e të rinjve duke i bërë institucionet lokale, kombëtare dhe globale më gjithëpërfshirëse me qëllim forcimin e kapaciteteteve dhe pozitave të tyre në funksion të bashkëveprimit në nivel botëror.
Ekstremizëm i dhunshëm, kërcënime në rritje, ndryshim i kushteve politike, trazira ekonomike dhe transformime shoqërore të cilat ndërthuren çdo ditë duke shtuar sfidat me të cilat përballen të rinjtë në botë. Askush nuk i njeh më mirë se ata çështjet në fjalë ose mënyrën më të mirë për t’iu përgjigjur atyre.Kjo është arsyeja pse sot janë të rinjtë ata që duhet të flasin ndërkohë që bota duhet të dëgjojë.
Ndërsa bota ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme, të rinjtë dëshmojnë çdo ditë e më shumë se janë partnerë të paçmuar që mund të avancojnë zgjidhje kuptimplota për çdo sfidë. Lëvizjet rinore dhe grupet e studentëve po sfidojnë strukturat tradicionale të pushtetit dhe mbrojnë një format të ri social midis shteteve dhe shoqërive. Drejtuesit e rinj kanë kontribuar me ide të reja dhe inovative, kanë marrë masa proaktive dhe janë mobilizuar përmes mediave sociale si kurrë më parë.Miliona të rinj që protestojnë për të drejtat dhe pjesëmarrjen duke adresuar nivelet e larta të papunësisë mes të rinjve, duke ngritur zërin kundër padrejtësisë dhe duke mbrojtur një sërë veprimesh globale për njerëzimin dhe planetin
Në këtë moment delikat historik, teksa udhëheqësit përgatiten të adoptojnë një vizion për zhvillim të qëndrueshëm, angazhimi i brezit të ri është më i vlefshëm se kurrë.
Vullnetarizmi është një mënyrë ideale për të përmirësuar shoqërinë dhe është lehtësisht i aksesueshëm për të këdo. Të rinjtë mund të bashkojnë forcat me një sërë organizatash të cilat mëshirojnë atë frymë veprimi e cila qëndron në themel të aspiratave të tyre për garantimin e të drejtave të njeriut, përparimin ekonomik, administrimin mjedisor dhe përfshirjen sociale.
Angazhimi i të rinjve mund të ndihmojë në kthimin e botës që duam në botën që meritojmë. Le të mbështesim të gjithë të rinjtë në krijimin e një të ardhme ku planeti ynë është i mbrojtur dhe të gjithë njerëzit jetojnë me dinjitet.
Të rinjtë në kundërpërgjigje të COVID 19
“Dita Ndërkombëtare e Rinisë” këtë vit përkon me një moment jashtëzakonisht të vështirë botëror ku jeta dhe aspiratat e të rinjve vazhdojnë të mbeten pezull për shkak të pandemisë COVID-19. Disa kanë humbur jetën ndërkohë që shumë të tjerë kanë asistuar familjarët dhe të dashurit e tyre teksa fatkeqësisht nuk kanë mundur të fitojnë betejën me këtë virus.
Formimi i një gjeneratë të tërë të rinjsh në shkallë globale është vënë në rrezik, hapat e tyre drejt së ardhmes, identiti dhe vetëmjaftueshmëria e tyre është shkundur në themel. Disa kanë marrë përsipër barrën e familjes ose janë duke vuajtur pasojat e urisë apo të qënurit subjekt i bullizmit dhe dhunës ndërkohë që shumë të tjerë janë të dyzuar ndaj presionit psikologjik që sjell prespektiva e mosrifillimit të shkollës dhe pamundësisë për tu arsimuar.
Por kjo gjeneratë është gjithashtu optimiste, energjike, fleksibël dhe plot vullnet kundrejt çdo angazhimi.
Janë këta të rinjtë që janë ngritur dhe lobojnë për aksion në funksion të të ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, janë po këta të rinj që mobilizohen për drejtësi racore dhe barazi gjinore, po janë pikërisht ata kampionët e një bote më të qëndrueshme, ndërtuesit e paqes që promovojnë kohezionin shoqëror në një kohë distancimi shoqëror, luftëtarët e vendosur kundër dhunës dhe ruajtësit e harmonisë në një kohë kur urrejtja është në rritje.
Shumë prej tyre janë vajza të reja të cilat kanë qëndruar stoike në vijat e para në mobilizimin për drejtësi dhe veprim klimatik,ndërkohë që shumë prej tyre kanë shërbyer me devotshmëri dhe vijojnë të jenë në vijën e parë në kundërpërgjigje të COVID-19.
Për të mbajtur premtimin që shoqëria njerëzore i detyrohet kësaj gjenerate do të duhet të investohet shumë më tepër në gjithëpërfshirjen, pjesëmarrjen, si dhe në organizatat dhe iniciativat e këtyre të rinjve. Vendimmarrësit dhe shoqëria duhet të angazhohen maksimalisht që të rinjtë kudo në botë të gëzojnë një jetë të sigurtë, dinjitoze dhe me mundësi të barabarta për të shpalosur dhe kontribuar nëpërmjet potencialit të tyre tëjashtëzakonshëm.
Pandemia globale COVID-19 ka prekur çdo segment tëpopulatës nëpër botë, të rinjtë luajnë një rol kyç në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin post pandemisë.Megjithëse qasja qëkjo sëmundje ka kundrejt këtij brezi është ende e panjohur, qeveritë duhet të angazhohen maksimalisht për të siguruar që shërbimet e tyre të plotësojnë nevojat e të rinjve. Është e rëndësishme që në vendimarrjet në kuadër të masave shëndetësore për COVID-19 përbri zërave të tjerë të komunitetit dhe të pacientëve të dëgjohen gjithashtu edhe rinjtë.
Ndërtimi i aftësive vendimarrëse tek të rinjtë për të qenë në gjendje të marrin vendimet dhe përgjegjësitë e tyre mbi shëndetin personal është gjithashtu një element i rëndësishëmpasi në këtë kontekst, edukimi shëndetësor, promovimi i shëndetit publik dhe informacioni i bazuar në fakte shkencore janë thelbësore në luftën kundër përhapjes dhe efekteve të COVID-19 dhe veçanërisht në përballje me sfidën e keqinformimit nëpërmjet internetit. Roli i qeverive, organizatave rinore dhe grupeve të strukturuara të komunitetit është thelbësor për të garantuar që informacioni i besueshëm i shëndetit publik të shpërndahet në mënyrë të sigurtë tek të gjithë të rinjtë të cilët nëpërmjet teknologjisë mund të vijojnë shpërndarjen dhe udhëzimet e këtij të fundit në funksion të promivimit të masave parandaluse dhe në mbështetje të shëndetit publik
Një nga mënyrat se si inovatorët e rinj po reagojnë ndaj virusit është edhe qasja e tyre nëpërmjet ndikimit social. Në mbarë botën, një numër iniciativash janë duke u zhvilluar për të nxitur përpjekjet e të rinjve për të gjeneruar dhe ofruar mbështetje për popullatat në rrezik ose popullsitë e prekura nga pandemia. Ndërsa shumica e këtyre iniciativave janë mbi baza vullnetare (p.sh. të rinjtë që ofrojnë blerje dhe shpërndarje të ushqimit për pleqtë ose njerëzit në rrezik), ato gjithashtu mund të marrin formën e ndërmarrjeve sociale. Shumë qendra të inovacionit të teknologjisë të drejtuara nga të rinjtë po mbështesin fillimet për të zhvilluar zgjidhje efektive për të adresuar COVID-19. Për shembull, CcHUB (një laborator i hapur dhe një hapësirë pre-inkubatore në Nigeri) është duke ofruar mbështetje financiare, kërkimore dhe projektimi për projektet në lidhje me COVID-19