Gjatë muajit janar të vitit 2014-të në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 38 mijë ton mallra më shumë, se sa e njëjta periudhe e një viti më parë. Këtë e pohojnë statistikat e bëra publike nga drejtoria e Autoritetit Portual Durrës, që tregojnë se nga anijet dhe tragetet janë përpunuar 281,668 ton mallra gjithësej, ose 16% më shumë se sa në muajin janar të vitit 2013. Raporti statistikor pohon se, eksportet kanë shënuar një rritje me 10% krahasuar me janarin e 2013-ës, duke arritur shifrën prej 124,037 ton mallra “made in Albania”.
Duke ju referuar të dhënave, bëhet e ditur, se importi ka pësuar një rritje me 21% ose 27,077 ton mallra më shumë se e njëjta periudhe e një viti më parë, përgjatë të cilit janë importuar 130,554 ton mallra(janar 2013-të).
Në total përgjatë muajit janar 2014 janë përpunuar 281,668 ton mallra nga këto 52,847 ton janë përpunuar me tragete ndërsa 228,821 ton janë përpunuar ngarkuar apo shkarkuar nga anijet vendase dhe të huaja. Ndërsa për të njëjtin muaj një vit më parë(2013) janë përpunuar 243,480 ton mallra, çka tregon një rrijte me 38,188ton ose 16% më shumë mallra të përpunuara në kalatat portuale. Gjatë muajit janar 2014-të numuri i udhëtarëve të cilët kanë preferuar të udhëtojnë me Traget ka qënë 51,228 persona dhe po ta krahasojmë me një vit më pare, ka pësuar një rënie prej 4% ose 2,310 pasagjerë më pak.