Porti i Durrësit rrit aktivitetin tregtar me afro 7%, konteinerët në total +28% 

20 Gusht 2026

Gjatë periudhës janar-korrik 2026, Porti i Durrësit ka përpunuar 2,4milionw tonë mallra, duke regjistruar një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë ecuri, peshën kryesore e ka rritja e transportit me konteinerë, ku volumi i përgjithshëm i mallrave të konteinerizuara,  importe dhe eksporte së bashku,  është rritur me rreth 28%. 

Eksportet rriten me 39% 

Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, nga Porti i Durrësit janë përpunuar 744,782 tonë mallra për eksport, ose rreth 39% më shumë krahasuar me periudhën janar-korrik 2025. 

Rritja është mbështetur veçanërisht nga volumi i mallrave të eksportuara me konteinerë, ndërsa transporti i mallrave përmes anijeve ka ruajtur një ecuri të qëndrueshme. 

Në kahun e importeve janë përpunuar 1,7milionw tonë mallra, me një rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Mbi 1.5 milionë tonë mallra me konteinerë 

Transporti me konteinerë vijon të jetë segmenti me ritmin më të lartë të rritjes. 

Gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë përpunuar 1,5 milionw  tonë mallra të konteinerizuara, importe dhe eksporte ose rreth 28% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. 

Brenda këtij segmenti, importet janë rritur me 14%, ndërsa eksportet me 68%, duke dëshmuar një përdorim gjithnjë e më të madh të transportit me konteinerë për mallrat që dalin nga vendi. 

E njëjta tendencë reflektohet edhe në numrin e njësive të transportit. Në shtatëmujor janë përpunuar 157,062 TEU, ose 28,849 TEU më shumë se në janar-korrik 2025, çka përfaqëson një rritje prej rreth 28%. 

Vetëm gjatë muajit korrik janë përpunuar 24,133 TEU. 

352 mijë pasagjerë me tragete 

Në transportin me tragete, gjatë shtatëmujorit janë realizuar 568 lundrime, përmes të cilave janë përpunuar 352,539 pasagjerë dhe 141,597 mjete. Të dy treguesit paraqesin një rënie të lehtë në raport me një vit më parë. 

Ndërkohë, fluksi është rritur gjatë pikut të sezonit turistik. Vetëm në muajin korrik, përmes Portit të Durrësit kanë udhëtuar 112,740 pasagjerë, ose rreth 2% më shumë krahasuar me korrikun e vitit 2025. 

Të dhënat e shtatëmujorit tregojnë një zgjerim të aktivitetit tregtar të Portit të Durrësit, të mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve dhe pesha gjithnjë e më e madhe e transportit të konteinerizuar.