25.11.2026
Porti i Durrësit vijon të regjistrojë ecuri pozitive të aktivitetit tregtar, me rritje të volumit të mallrave të përpunuara dhe të eksporteve gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026. Treguesit e kësaj periudhe pasqyrojnë zgjerimin e flukseve tregtare dhe rritjen e aktivitetit në sektorin e konteinerëve.
Gjatë periudhës janar-tetor 2026, volumi i përgjithshëm i mallrave të përpunuara në Portin e Durrësit arriti në 3.404.101 tonë, duke shënuar një rritje prej 5,52% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Eksportet kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke arritur në 1.061.749 tonë, ose rreth 36% më shumë se në dhjetëmujorin e vitit të kaluar. Kjo ecuri është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i eksporteve të transportuara me konteinerë, të cilat vijojnë të zënë një peshë gjithnjë e më të rëndësishme në aktivitetin tregtar të portit.
Ndërkohë, importet kanë regjistruar një rënie të moderuar në volum, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithatë, rritja e eksporteve dhe zgjerimi i aktivitetit në sektorin e konteinerëve kanë kontribuar në rritjen e volumit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara.
Sektori i konteinerëve vijon të jetë një ndër kontribuesit kryesorë në performancën pozitive të aktivitetit portual. Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit janë përpunuar 2.101.582 tonë mallra të konteinerizuara, me një rritje prej 20% krahasuar me janar–tetorin 2025. Në të njëjtën periudhë, numri i konteinerëve të përpunuar ka arritur në 218.255 TEU, ose 15% më shumë se një vit më parë.
Në sektorin e transportit të pasagjerëve dhe mjeteve me tragete, gjatë janar–tetorit janë kryer 870 lundrime, përmes të cilave janë transportuar 682.376 pasagjerë dhe 253.352 mjete. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i pasagjerëve ka shënuar rënie, ndërsa transporti i mjeteve vijon të përbëjë një komponent të rëndësishëm të aktivitetit të këtij sektori.
Treguesit e dhjetëmujorit konfirmojnë ecurinë progresive të aktivitetit portual, ku rritja e eksporteve dhe zgjerimi i transportit të konteinerizuar kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e mallrave. Kjo ecuri dëshmon rolin e Portit të Durrësit në mbështetje të tregtisë dhe ekonomisë së vendit, si dhe në zhvillimin e zinxhirit të furnizimit dhe ndërlidhjen e Shqipërisë me tregjet rajonale e ndërkombëtare.
