EPOKA DIXHITALE NË INDUSTRINË DETARE/ 01 dhjetor 2020

Revolucioni dixhital po transformon botën çdo ditë e më shumë. Të dhënat gjenerohen, shpërndahen, ruhen dhe analizohen në sasi dhe me shpejtësi që rriten në mënyrë eksponenciale çdo ditë.
Sot, të dhënat që krijojmë, aksesi dhe kontrolli i tyre kanë një ndikim në rritje si në mënyrën se si jetojmë ashtu edhe në mënyrën se si industria operon.

Në transportin detar, dixhitalizimi dhe përdorimi i të dhënave ka pasur gjithashtu një impakt të jashtëzakonshëm. Anijet janë kthyer në shpërndarës të sofistikuar të sensorëve dhe në gjeneruese të dhënash, duke prodhuar dhe transmetuar informacion nga kudo ato ndodhen, shpesh dhe në kohë reale.

Në të njëjtën kohë, zhvillimet në komunikimet satelitore po përmirësojnë ndërlidhjet të cilat mundësojnë rritje masive në volumet e të dhënave të transferuara me kosto gjithnjë e më të ulët.

Këto flukse informacioni dixhital në industrinë detare nxisin automatizimin e proceseve dhe funksioneve navigacionale, dhe për rrjedhojë kanë një ndikim domethënës në sigurinë, tregtinë dhe performancën mjedisore. Kombinimi i të dhënave nga burime të shumta lejon industrinë detare të marrë vendime më të mirë-informuara dhe në kohë më të shkurtër, duke krijuar organizim dhe menaxhim më efikas dhe të përgjegjshëm.


Disa nga elementët të cilët e bëjnë dixhitalizimin thelbësor, për industrinë detare sot janë:
▪ Zvogëlimi i mundësisë për gabimeve
▪ Përmirësimi i cilësisë së informacionit
▪ Automatizimi i proceseve navigacionale

Duke filluar nga viti 2019, IMO kërkoi që të gjitha shkëmbimet e të dhënave të anijeve të kryheshin në mënyrë dixhitale, me qëllim thjeshtëzimin dhe lehtësimin e tregtisë ndërkufitare dhe rritjen e efikasitetit të zinxhirit logjistik.

Për më tepër, IMO rekomandoi të gjithë aktorët e transportit detar të përdorin “Dritaren e Veçantë Detare”, vendin ku raportohen të gjitha informacionet, përfshirë e-Manifestin (manifestin elektronik) dhe u vihen në dispozicion autoriteteve të ndryshme kompetente në shtetet anëtare.

Në mbyllje, duhet nënvizuar se dixhitalizimi në procesin e shkëmbimit të të dhënave, është thelbësor për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar detar, pasi e bën atë më efikas dhe më fleksibël në një botë të progresit teknologjik me shpejtësi të paimgjinueshme dhe ndërprerjeve të shumta dhe të paparashikuara.
Duke nënvizuar nevojën për dixhitalizim të shtuar në industrinë detare Sekretari i Përgjithshëm i IMO Kitack Lim thekson: “Pandemia COVID-19 ka paraqitur sfida të paparashikuara. Por, ne duhet ta shohim këtë si një mundësi për të shfrytëzuar potencialin që mund të paraqesë dixhitalizimi i shtuar në sektorin detar – për të rritur qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit detar, për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të mundësuar rikuperimin post pandemisë”.