Lundrimi i pare i tragetit Trieste- Durrës me emrin “Tiepolo”
Nëse sot nuk mund të përfytyrohet dot një port detar pa terminal tragetesh, 40 vjet më parë, linja e parë e trageteve me Italinë shihej nga Uashingtoni si një rast që Shqipëria të reduktonte izolimin gjeografik.
Është interesant fakti që një ngjarje tejet të vogla, pa peshë, për ditët tona, sikurse ishte protokolli ndërshtetëror për vendosjen e linjës detare me tragete mes Durrësit dhe Triestes, instituti i studimeve (Research Institute) pranë radios Evropa e Lirë / Radio Liria, të financuar nga CIA dhe Kongresi amerikan, i kushtonte një material në buletinin për përdorim të brendshëm nga stafi i radios.
Më 15 nëntor 1983, instituti i studimeve (Research Institute) i Radio Free Europe / Radio Liberty, ka shpërndarë një material të përgatitur nga Louis Zanga të titulluar “Italia dhe Shqipëria lidhen me linjë trageti” (Ferry Connection Between Italy And Albania Set Up), duke theksuar se kjo është “pjesë e një prirjeje për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, gjë do të reduktojë dukshëm izolimin gjeografik të Shqipërisë” [part of a trend in the improvement of relations between two countries, will considerably reduce the geographic isolation of Albania].
Sikurse njoftonte ATSH-ja, më 22 tetor 1983, “u nënshkrua në Tiranë, midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, protokolli për vendosjen e shërbimit detar të linjës me traget për transportimin e kamionëve të mallrave, të mallrave e dërgesave postare midis portit të Durrësit dhe portit të Triestes”.
MINISTRI
Ekspertit amerikan Louis Zanga i ka tërhequr vëmendjen fakti se protokollin e nënshkroi zëvendësministri i Komunikacioneve Llambi Leka dhe se në ceremoni ishte i pranishëm vetë ministri i Komunikacioneve Luan Babameto.
Dhe pse njoftimi i ATSH-së ishte tepër i thatë, Uashingtoni ka kuptuar se, pas prishjes me Kinën dhe duke qenë në konflikt me Jugosllavinë për shkak të Kosovës, regjimi komunist, në prag të vdekjes së Enver Hoxhës, që ishte në vështirësi të mëdha ekonomike, kërkonte frymëmarrje dhe këtë e shihte tek Italia: “Marrëveshja e transportit është rrjedhojë e gatishmërisë së dy palëve, por në veçanti të palës shqiptare, për të përmirësuar marrëdhëniet”.
Kjo për faktin se “linja e transportit detar Durrës-Trieste do të ndikojë që Shqipëria të kontaktojë drejtpërdrejt, nga pikëpamja ekonomike dhe në sfera të tjera, me Evropën qendrore dhe shtete përtej saj”.
INTERPELANCA
Nga ana tjetër, kjo marrëveshje ishte dhe në interes të Apenineve: “Nëpërmjet kësaj linje trageti, pas më se 40 vjetësh Italia do të marrë sërish rolin e saj tradicional si kontakti i huaj kryesor i Shqipërisë”, shkruan studiuesi Zanga.
Të njëjtën gjë tha në një interpelancë më 8 mars 1985 në Dhomën e Deputetëve të Italisë Xhanuario Karta (Gianuario Carta), ministër i Marinës Tregtare i Qeverisë Kraksi (Craxi), duke folur për rëndësinë e madhe të linjës detare, që u arrit pas negociatave të gjatë, komplekse dhe të vështira, do të kishte rol në marrëdhëniet e ardhshme me Shqipërinë, jo vetëm të natyrës ekonomike etj.[questa linea di navigazione, che ha rappresentato un fatto estremamente importante per lo sviluppo delle relazioni con l’Albania, è il frutto di una larga trattativa, risultante altresì complessa e difficile… quale ruolo possa avere uno sviluppo ulterior e dei rapporti con l’Albania. Quello che era difficile qualche anno fa e sembrava una conquista, oggi per l’evoluzione del pensiero politico di quello Stato può essere attuabile… i rapporti, che non sono solo di carattere economico ma – in riferimento appunto alle tradizioni storiche – vanno anche nella direzione di uno sviluppo politico, culturale e civile].
KAMIONËT
Më 9 dhjetor 1983, u përurua fillimi i linjës së lundrimit detar me anijet traget Durrës-Trieste dhe anasjelltas. Me këtë rast ambasadori italian Françesko Karlo Xhentile shtroi një drekë ku krahas autoriteteve shqiptare dhe drejtorit të portit Kostandin Misja ndodhej dhe Xhanuario Karta.
Anija “Tiepolo” e shoqërisë shtetërore italiane “ADRIATICA navigazione”, do të prekte portin e Durrësit çdo 10 ditë, në orën 14.00.
Nga porti i Triestes anija u nis me 5 kamionë shqiptarë të parkut të eksportit dhe ngarkoi në portin e Durrësit 12 kamionë shqiptarë të këtij parku.
Dokumente
1. U nënshkrua protokolli për vendosjen e shërbimit detar të linjës me anije traget midis portit të Durrësit dhe portit të Triestes
Sot [më 22 tetor 1983] u nënshkrua në Tiranë, midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, protokolli për vendosjen e shërbimit detar të linjës me traget për transportimin e kamionëve të mallrave, të mallrave e dërgesave postare midis portit të Durrësit dhe portit të Triestes.
Për palën shqiptare protokolli u nënshkrua nga zëvendësministri i Komunikacioneve Llambi Leka dhe për palën italiane nga ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Italisë në republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë Françesko K. Xhentile [Francesco C. Gentile].
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri i Komunikacioneve Luan Babameto dhe të tjerë (ATSH).
2-ITALIA DHE SHQIPËRIA LIDHEN ME LINJË TRAGETI
“Marrëveshja për lidhje italiane-shqiptare me traget, që është pjesë e një prirjeje për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, do të reduktojë dukshëm izolimin gjeografik të Shqipërisë. Nëpërmjet saj, Italia do të marrë sërish rolin e saj tradicional si kontakt i huaj kryesor i Shqipërisë. Gjithashtu lidhja me traget do ët çojë Shqipërinë në kontakt të drejtpërdrejtë me Evropën qendrore dhe pikat përtej saj. Së fundmi, lidhja me traget do të shërbejë në mënjanimin në njëfarë mase të problemeve të transitit me Jugosllavinë që kanë lindur si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Tetorin e kaluar [1983] u nënshkrua në Tiranë një marrëveshje italiane-shqiptare për vendosjen e një linje detare me traget midis dy vendeve fqinje të Adriatikut. Linja e tragetit midis porteve të Triestes dhe Durrësit, që do të përurohet në muajin nëntor [në fakt më 9 dhjetor 1983], është pjesë e një prirjeje të përgjithshme për të përmirësuar marrëdhëniet midis Romës dhe Tiranës. Nëpërmjet kësaj linje trageti, pas më se 40 vjetësh Italia do të marrë sërish rolin e saj tradicional si kontakti i huaj kryesor i Shqipërisë. Përveç kësaj, linja e transportit detar Durrës-Trieste do të ndikojë që Shqipëria të kontaktojë drejtpërdrejt, nga pikëpamja ekonomike dhe në sfera të tjera, me Evropën qendrore dhe shtete përtej saj. Më në fund, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje me sa duket Tirana ka përballuar me sukses disa probleme transiti me Jugosllavinë, që kanë dalë si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve të Ballkanit për shkak të konfliktit në Kosovë.
Marrëveshja e transportit është rrjedhojë e gatishmërisë së dy palëve, por në veçanti të palës shqiptare, për të përmirësuar marrëdhëniet”.
3-PËRURIMI
Më 9.12.1983, u përurua fillimi i linjës së lundrimit detar me anijet traget Durrës-Trieste dhe anasjelltas. Me këtë rast ambasadori italian Françesko Karlo Xhentile (Francesco Carlo Gentile) shtroi një drekë ku krahas autoriteteve shqiptare dhe drejtorit të portit Kostandin Misja ndodhej dhe Gianuario Carta, Ministër i Marinës Tregtare të Italisë.
Sipas protokollit përkatës, të nënshkruar në Tiranë më 22.10.1983, midis autoriteteve shqiptare dhe italiane, anija “Tiepolo” e shoqërisë shtetërore italiane “ADRIATICA navigazione”, do të prekte portin e Durrësit çdo 10 ditë, në orën 14.00.
Anija e drejtuar nga piloti Bujar Shedulla, u bregëzua me sukses në kalatën nr. 5, për herë të parë, më 8.11.1983. Nga porti i Triestes anija u nis me 5 kamionë shqiptarë të parkut të eksportit dhe ngarkoi në portin e Durrësit 12 kamionë shqiptarë të këtij parku.
Për zbatimin e këtij protokolli u lidh një marrëveshje midis agjencisë detare “Adriatica” dhe agjencisë detare me qendër në Durrës.
Burimi: 1-Sipas Shefqet Kërcellit në librin “Porti ynë në rrjedhën e viteve. Historik”. Shtëpia Botuese ILAR, viti 2011
AGJENCIA E LAJMEVE “DYRRAH”