In Memoriam/ Detari i shquar, Kapidan Mehmet Kotorri 24 qershor 2020

Kapidan Mehmet Kotorri ka ndërruar jetë në vitin 1958, por edhe sot kujtohet jo vetëm mes detarëve, por edhe qytetarëve durrsakë. Jo rastësisht, me propozim të shoqatës “Ulqini” ai u nderua me titullin “Mirënjohje e qytetit të Durrësit”.

Kapidan Mehmet Kotorri jetoi vetëm 52 vite.

Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në det, atje ku paracaktohej edhe fati i shumë djemve nga qyteti i Ulqinit, nga ku në fillim të shekullit të kaluar kishte mbërritur në Shqipëri edhe familja Kotorri.

Mehmeti u lind më 17 mars të vitit 1906 në Shkodër, atje ku jetuan për disa dekada Kotorrët.

Djaloshi u detyrua të shkëputej nga shkolla.

Kotorri i ri i’u fut shumë shpejt punës, dhe po aq shpejt u dallua për vullnetin e një detari të papërkulur.

Studiuesit shkruajnë se brenda një kohe të shkurtër Mehmeti mësoi të gjitha profesionet e detit, nga marinari i thjeshtë deri te motorristi. Falë aftësive profesionale dhe qetësisë në marrjen e vendimeve, kur ishte vetëm 22 vjeç atij i besojnë drejtimin e barkave të transportit të mallrave.

Ishte koha kur ulqinakët këndonin kështu, për djemtë e tyre detarë:

“Vjen tallazi sa shtëpia, i bjen barkës n’bash e n’kiç,

Kapidani prej Ulqini, e shikon e s’trëmbet hiç”.

“Duket si një këngë e kënduar tamam për kapidan Mehmetin- thotë Dashamir Janina, ish-kryetar i shoqatës mbarëkombëtare të detarëve “AdriJon”, me qendër në Durrës.

Dashamiri flet për kapidanin me të njejtin respekt si 55 vjet më parë, kur ishte djalosh dhe nisej në lundrim nën komandën e Mehmet Kotorrit.

“Ai jetoi gjithë jetën si kapidan, si njeriu ku bashkoheshin mirësia, aftësia profesionale, atdhetarizmi. Te kapidan Mehmet Kotorri bëheshin bashkë familjari i mirë, jo vetëm në shtëpi, por edhe në anijet që drejtonte, atje ku ne të rinjtë nuk e ndjenim ndryshimin e moshës”- dëshmon detari veteran.

Të jesh kapiten në një anije do të thotë jo vetëm të jesh i qetë e i pjekur në vendime, por të kesh edhe cilësitë e një ambasadori të vendit që përfaqëson.

“Kur i lëshon cimat nga porti nënë, anija është një pjesë e atdheut që lëviz në dete, prandaj kapitenit i duhen më shumë se aftësitë profesionale- përgjigjet Dashamir Janina, kur e pyesim se çfarë cilësish duhet të ketë një detar për t’u bërë kapidan i mirë.

Menjëherë pas luftës, kur familja e tij ishte vendosur përfundimisht në Durrës, kapidanit të ri i është dashur të marrë një vendim të vështirë.

Në një nga portet e Malit të Zi kishte mbetur anija e vogël, të cilën e kishte blerë plot sakrifica, kur punonte si kapidan i barkave.

“Megjithëse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitet 1945 – 1948 ishin “grurë”, autoritetet jugosllave nuk ia kthenin anijen 180-tonëshe Mehmet Kotorrit – tregon Dashamiri, një tjetër histori të kapidanit, që edhe tani qarkullon ndër detarët e vjetër. Kishte shkuar  dy herë në Malin e Zi, por pa rezultat”.

Siç dëshmonte edhe i biri, dr. Enveri të tretën herë Mehmet Kotorri kishte marrë me vehte një bidon benzine. Anija o vinte në Durrës, ose digjej atje ku e mbanin me përdhunë.

Gjërat shkuan mirë dhe anijes sapo mbërriti në Durrës i vunë emrin “Ylli i kuq”. Kishin nisur shtetëzimet dhe anija e Mehmet Kotorrit ishte bërë pjesë e Flotës së vogël tregtare, në radhët e të cilëve kapidani i ri në moshë po përgatitte pasardhësit e tij.

“Kapidanët veteranë të detit; Tod Muka, Luigj Gajtani, Xhevdet Gashi apo Mehmet Karashabani i kanë mësuar të fshehtat e komandimit nga kapidan Mehmet Kotorri – shprehet me bindje Dashamiri, i cili ka grumbulluar dëshmitë e kolegëve detarë dhe kapidanë më të vjetër në moshë.

Mehmet Kotorri u bë shkolla e parë e kapitenëve në anijet tona të vogla të flotës tregtare- thotë Dashi, duke treguar më pas edhe fatin e anijes së familjes Kotorri. Anija “Ylli i kuq” në vitet 1952-1953 u shfrytëzua nga Instituti shkencor për studime iktiologjike për peshkimin.

Specialist i klasit të parë në drejtimin e anijeve, kapidan Kotorrit nuk i pëlqente “ta ulte hundën” para detarëve në vendet që më vonë u shpallën “armike” të Shqipërisë. Në një nga portet e vegjël pranë Rijekës (ish-Jugosllavi), pikërisht në Susak, kapidani dhe detarët e tij me një manovër inteligjente dolën me anijen “Sazani” nga porti, duke anashkaluar tre anije të ankoruara ngjitur me të. Një veprim i pamundur në pamje të parë.

Detarët nën komandën e Mehmet Kotorrit ishin të bindur për aftësitë e tij.

Në fillim të viteve 1950, kur jugosllavët vendosën embargon në det, anijet e vogla shqiptare, të ngarkuara me mallra duhet të kalonin nëpër Adriatik më shumë se 20 km larg bregut. Nuk ishte e lehtë me tramuntanën që ulërinte si e tërbuar në stinën e dimrit.

Por kapidani mbetet kapidan! Edhe atëherë kur i dëgjonte me vëmendje vartësit e tij dhe ua pranonte vërejtjet. Një njeri i lindur për të komanduar në det. Ashtu siç komandoi me dinjitet dhe kapacitet profesional anijet “Teuta”, “Sazani” (anija e parë metalike e flotës sonë), e “Mesapliku”.

Ashtu siç u kishte thënë njëherë detarëve të tij, pasi u vunë në alarm për kalimin e një ngushtice prej vetëm 30 metrash, mes dallgëve dhe shtrëngatës në Pashmang, në brigjet e Kroacisë.

“Unë, Kapiteni i juaj, nuk nisem në lundrim pa qenë plotësisht i sigurtë për jetën e detarëve të mij”.

Ky ishte Mehmet Kotorri, i pjekur e i matur, aftësitë profesionale të të cilit i dhanë aureolën e kapidanit të zot. 

 Nga Zëdhënësi i APD-së Gëzim Kabashi