In Memoriam Ndoc Gjeluci, Kapiteni i Portit/Detar, Kapiten dhe Pedagog Në kuadër të 25 qershorit – Ditës së Detarit

Ndoc Gjeluci u lind në Shkodër në vitin 1911, në një familje të thjeshtë qytetare. Shkollën e kreu pranë kolegjit françeskan në qytetin e lindjes.

Më vonë, pas transferimit të familjes në Durrës, ai ndoqi shkollën 3-vjeçare për drejtimin e kapitenerive të porteve, komisioni vlerësues i së cilës në përfundim të studimeve i dha notën “Shkëlqyeshëm”. 

Sipas shtypit të kohës instruktorë dhe pedagogë të kësaj shkolle ishin disa oficerë madhorë të marinës italiane.

Gjeluci ishte vetëm 18 vjeç, kur iu dha grada “toger”, ndërsa që të mos kishte pengesa formale prindët ishin kujdesur më parë t’ia ndryshonin zyrtarisht datëlindjen nga 1911 në 1908. 

“Gazeta “Besa” shkruante në shtator të vitit 1929 se rezultatet e mira të Ndoc Gjelucit u bënë shkak që ai të emërohej menjëherë “Kapiten i Kapitenerisë së portit të Durrësit”. 

Bashkë me punën  e përditshme të drejtuesit Ndoc Gjeluci nisi të përpilojë edhe rregulloret e para për organizimin e punës në portet e vendit tonë. 

Një veprimtari e vlerësuar dhe e suksesëshme dyvjeçare, pas së cilës detari i ri morri jashtë radhe gradën “Kapiten”.

Në shënimet e mbajtura me kujdes nga i biri, Matish Gjeluci, mësues i njohur i letërsisë, shkrimtar dhe hartues libretesh muzikore, kapiteni Ndoc Gjeluci gjatë vitit 1932-1933 ndoqi kursin e lartë të navigacionit në organizmat e Marinës Tregtare italiane, pikërisht në Modena, ndërsa praktikën mësimore e kreu si oficer i parë e më pas si kapiten në një anije tregtare norvegjeze.

I formuar si një detar, që bashkë me të fshehtat e detit njeh edhe sekretet e drejtimit administrativ detar,Ndoc Gjeluci rikthehet në Durrës si kapiten i portit. 

Ditën e pushtimit fashist, më 7 prill të vitit 1939, Gjeluci largohet nga Durrësi dhe për disa muaj qëndron si ilegal në fshatrat e Malësisë së Madhe. Marina ushtarake italiane e merr në shërbim të detyrueshëm, nga ku do të largohet më vonë falë një raporti mjeksor.

Rikthehet në Shkodër bashkë me familjen, gjatë periudhës 1943-1944, kur qyteti i Durrësit u boshatis plotësisht për qëllime ushtarake nga forcat naziste.

Këtij viti i përket studimi “Lundrimi në pikëpamje ekonomike”, i cili mbështetej në librat e disa autorëve të njohur italianë dhe anglezë të detarisë. Fill pas luftës Ndoc Gjeluci emërohet si kapiten iportit të Vlorës, ndërsa në maj të vitit 1946 transferohet përfundimisht në Durrës. Kryen në të njejtën kohë detyrën e kapitenit të portit dhe atë të komandantit të repartit ushtarak të marinës që u ngrit në Kepin e Palit.

Dhjetra studentë, kapitenët e ardhshëm

Themeluesi i shoqatës së detarëve “Adrijon”, Dashamir Janina tregon se gjatë viteve 1945-1952 kapiteni i portit Ndoc Gjeluci u bë njëkohësisht një nga drejtuesit e kurseve dhe shkollave të para të detarisë në vendin tonë. 

Së bashku me z. Kel Nonaj, pedagog i lëndës së metereologjisë, ata përgatitën dhjetra detarë, të cilët morrën më pas detyrat e drejtuesve të anijeve, të cilat ishin sjellë në vendin tonë më parë nga kapidanët ulqinakë.

Kam qenë me fat, pasi kapiteni im i parë ishte ulqinak, Mehmet Kotorri e quanintregonte vite më parë kapidani në pension Tod Muka.

Prej tij kam mësuar shumë për detin, por elementët teorikë e praktikë i kam përfituar nga kapiteni i portit, Ndoc Gjeluci, i cili organizonte kurset e para për detarët, oficerët dhe për drejtuesit e anijeve”.Dashamir Janina kujton se si e mësoi artin e detarisë: “Së bashku me 30 moshatarë të rinj ndoqëm kursin e vitit 1952, që organizohej në godinën 3-katëshe të rrugës Tregtare, ku ndodhej për shumë vite Bar bufe “Detari”, pranë hyrjes së portit. Ndoc Gjeluci dhe Kel Nonaj ishin profesorët tanë të artit detar dhe të metereologjisë.

Gjeluci kishte një personalitet të jashtëzakonshëm dhe një predispozitë të veçantë, që detarët e ardhshëm të ngulitnin në mëndje të gjitha detajet e të fshehtat e artit detar, si dhe ato të konstruksionit të anijeve-dëshmon ish-kryetari i shoqatës “Adrijon”.

Në këto vite Gjeluci u mëson detarëve të rinj artin e detarisë, navigacionin (lundrimin) si dhe organizon lundrimet stërvitore në të gjitha portet e brigjeve shqiptare. 

Pas vitit 1952 ai drejtoi të gjitha kurset si dhe leksionet në shkollën detare “Mujo Ulqinaku”, të cilat organizoheshin nga drejtoria e porteve.

I mënjanuar nga detyra e kapitenit të portit për shkak të kunatit që u pushkatua në vitin 1952 në incidentin e bombës në Ambasadën Jugosllave, Ndoc Gjeluci bëhet mësuesi kryesor i dhjetra detarëve dhe kapitenëve të anijeve tregtare si dhe të motopeshkatoreve.

Detarë të njohur si Bujar Shedula, Maqo Treska, Jorgji Bidoshi, Tahir Hoxha, Harilla Dano, etj, janë vetëm disa nga emrat e njerëzve, të cilët u përgatitën nga Ndoc Gjeluci, duke u bërë për vite me radhë drejtues dhe detarë të zot.

Në të njejtën kohë Ndoc Gjeluci mbledh mjaft këngë folklorike detarësh, veçanërisht nga Ulqini. 

Ai ka gjithashtu meritën të jetë autori i librave të parë të detarisë: “Elementë të lundrimit detar”, “Arti detar” dhe “Meteorologjia”.

Detarët veteranë kujtojnë me respekt pedagogun që organizonte orë të veçanta mësimi për ata që tregonin prirje dhe durim të veçantë. Bashkë me artin e detarisë ai kujdesej për formimin e tyre edhe në algjebër, trigonometri e stereometri, lëndë të cilat nuk përfsiheshin në programin mësimor, por që ishin të domosdoshme për përllogaritjet dhe praktikën e lundrimit modern.

Ndoc Gjeluci vdiq në vitin 1984, në moshën 73-vjeçare, por ai ka mbetur në kujtesën e detarëve si një mësues i palodhur dhe i pasionuar i mjeshtrisë së detit, të cilit i kushtoi gjithë jetën.

Nga Gëzim KABASHI – Zëdhënës i APD-së