Këshilli Konsultativ njihet me objektivat portualë për vitin 2015 20 janar 2015

Këshilli konsultativ pranë Autoritetit portual të Durrësit zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, gjatë së cilës u njoh me objektivat e portit për vitin 2015, me projektet e investimit si dhe me tarifat e reja që pritet të miratohen së shpejti nga dikasteret përkatëse.

Drejtori ekzekutiv i APD, Selim Belortaja, që drejtoi mbledhjen i informoi të pranishmit mbi synimet për vitin 2015. Gjatë vitit që sapo ka nisur parashikohet një rritje prej 22 përqind e volumit të mallrave krahasuar me vitin 2014.

Z. Belortaja tha se objektivat janë përcaktuar në bashkëpunim me konçesionarët mbi argumente realistë. Kështu në Terminalin e kontejnerëve pritet një rritje prej 29.2 përqind, ndërsa në terminalin lindor një rritje prej 51.7 përqind e volumit të mallrave. Synimet e këtij viti janë bazuar në arritjet e vitit 2014, të cilat kanë qenë një hap pozitiv për punën e portit- tha z. Belortaja.

Drejtori bëri të njohur për të pranishmit se në javët e ardhshme pritet miratimi I plotësimit apo korrektimit të disa tarifave portuale.

Gjatë këtij takimi u paraqitën edhe disa nga investimet që do të realizohen gjatë këtij viti, si riparimi i dy vinçave të mëdhenj; rikonstruksioni i rrugës nga hyrja 2 te Terminali i trageteve; zhvendosja e siloseve të drithit nga kalata 5; sistemi i ujësjellësit, etj.

Anëtarët e këshillit diskutuan edhe mbi projektin e thellimit të portit, për të ardhmen e të cilit drejtoria ekzekutive ka përgatitur disa skenarë të mundshëm realizimi.

Të pranishmit u njohën edhe me Projekt-Rregulloren e Këshillit. Këshilli Konsultativ është organ këshillimor i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës për çështjet e përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e APD.