Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi 1 projektligj dhe zhvilloi seancë dëgjimore për investimet e parashikuara dhe buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2023/ 15 nëntor 2022

Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në dy mbledhje të ndryshme gjatë ditës së sotme mori në shqyrtim projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, Sh.A. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore për investimet e parashikuara dhe buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2023.

Fillimisht, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji që synon miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, Sh.A. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: z.Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, znj.Elira Kokona, zëvendëssekretare e Përgjithshme e Kryeministrisë, z.Pirro Vengu, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Portit të Durrësit dhe z. Erlis Hereni, Administrator i “Albanian Seaports Development Company”.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes z.Kadia sqaroi se projekti i investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” do të kushtojë rreth 2.1 miliardë euro dhe se shteti shqiptar do të jetë aksioner me 33 % të aksioneve. “Projekti do të zhvillohet në dy faza, relativisht të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë, por që do të jenë të integruara në përfundim të projektit. Buxheti ose kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë 2.1 miliardë euro. Investimi total në fazën e parë vlerësohet të jetë 595 milionë euro dhe për fazën e dytë 1.4 miliardë euro”, u shpreh ndër të tjera z.Kadia.

Zëvendësministri sqaroi më tej se projekti ka si objektiv zhvillimin urban dhe rigjallërimin e një pjese të qytetit të Durrësit, nëpërmjet një rikonceptimi të ri të portit dhe zonës përreth, duke rinovuar dhe zhvilluar bregdetin, duke integruar zonën rezidenciale përgjatë vijës bregdetare dhe marinës, si dhe duke orientuar turizmin vendas drejt një turizmi elitar. Z.Kadia sqaroi se shoqëria tregtare e krijuar nga të dy partnerët publikë dhe privatë (ASDC dhe Eagle Hills Real Estate Development), do të zhvillojë projektin dhe do të përfitojë prej tij duke qenë mbajtësi i masave mbështetëse, ndërsa qeveria shqiptare, në cilësinë e aksionerit do të kontribuojë në projekt me vlerën e shumës së kontributit të strehimit social dhe Tatimit mbi Ndikimin në Infrastrukturë. Deputeti z.Alban Xhelili në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektit për zonën e Durrësit, por dhe për gjithë turizmin shqiptar dhe theksoi se ardhja në Shqipëri e një investitori shumë të njohur dhe serioz do të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e vendit. Më pas të ftuarit iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me komponentët e investimit; fazat e zhvillimit të investimit; afatet e parashikuara; marrëveshjen e zhvillimit; përfitimet e pritshme nga ky investim për turizmin shqiptar, pse projekti nuk iu nënshtrua procesit të garës, si do të kryhet transferimi i portit të Durrësit, a do të lejohen kompani të tjera që të bëhen pronarë në këtë investim, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Në seancën e dytë, komisioni zhvilloi një dëgjesë me z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili parashtroi për komisionin investimet e parashikuara dhe buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2023.

Duke sqaruar fokusin e MIE, z.Bejtja sqaroi ndër të tjera se programi “infrastruktura rrugore” për vitin 2023 ka rritje me 2.2 miliard lekë krahasuar me mbështetjen buxhetore të një viti më parë, ndërkohë që sqaroi se orientimet kryesore të buxhetit 2023 e në vazhdim, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë: zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare; zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve; financimi i transportit hekurudhor, ajror dhe atij detar, mbështetje për politikat e lidhura me fushën e menaxhimit të burimeve natyrore, etj.