Komisioni për Ekonominë dhe Financat vizitë monitoruese në Portin e Durrësit/ 10 korrik 2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, dhe deputetët e Qarkut të Durrësit, nën drejtimin e kryetares së Komisionit, znj. Milva Ekonomi, zhvilluan një vizitë në Portin e Durrësit për të vlerësuar dhe monitoruar nga afër situatën ekonomike dhe operacionale.

Në fokus të kësaj vizite ishin veprimtaria ekonomike dhe performanca financiare, ndikimi i pandemisë në gjashtë mujorin e parë 2020 dhe strategjia zhvillimore e Portit më të madh në vend. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu, pasi i njohu të pranishmit me kapacitetet portuale, ju përgjigj interesit të tyre mbi investimet aktuale në sigurinë dhe infrastrukturën portuale, realizimin e të ardhurave, efiçensën e shpenzimeve publike, ndikimin e pandemisë dhe përgjegjësinë sociale të Portit ndaj qytetit të Durrësit.

Në vijim, komisioni zhvilloi një vizitë në Terminalin e Trageteve dhe u njoh me masat e marra në të, në zbatim të protokolleve shëndetësore. Kjo vizitë vjen në kuadër të funksionit të monitorimit parlamentar që ushtron Komisioni për Ekonominë dhe Financat, me mbështetjen e prezencës së OSBE-së🇪🇺 në Shqipëri.🇦🇱