Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”/ 16 nëntor 2022

Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”. 

Të ftuar ishin znj. Belinda Balluku Zëvendëskryemimistre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Ermal Nufi drejtor i Kabinetit, z. Pirro Vengu Drejtor i Përgjithshëm i APD, z. Erlis Hereni Administrator i ASDC, znj. Elira Kokona nga Këshilli i Ministrave, z. Besart Kadia zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe z. Saimir Mucmataj Drejtor, Drejtoria e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator.

Në prezantim të këtij projektligji, zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh se projekti i ri synon që të kthejë Durrësin në një pikë të fuqishme dhe strategjike sa i përket turizmit, por po ashtu do të ketë impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, duke ndikuar kështu edhe në rajon.

“Pjesëmarrja e shtetit si subjekt aktiv në investime me interes publik së bashku me investitorë privatë është një praktikë e përhapur në vendet e zhvilluara sidomos në ato vende të BE-së dhe vlen të thuhet se është hera e parë që Republika e Shqipërisë do të jetë bashkëaksionere në një projekt kaq të madh duke mbajtur, ashtu siç jeni informuar edhe nga materiali që është shpërndarë, 33% të aksioneve dhe në këtë formë shteti do të ketë një rol kyç edhe në fazën e zbatimit të investimit duke ushtruar një kontroll të rëndësishëm dhe të drejta vendimmarrëse, përfshi dhe të drejtën e vetos. Përmes vetos dhe fuqisë që ka Republika e Shqipërisë si aksionere me 33% në këtë projekt do të kemi mundësi që të ruajmë interesin publik dhe mos cënimin në asnjë rast të pozitës së shtetit shqiptar. Këto aksione do të jenë gjithmonë në kontroll të shtetit përmes anëtarëve që do të ketë në bordet drejtuese me të drejtën e vetos”, theksoi Zëvendëskryeminstrja në fjalën e saj.

Më tej, znj. Balluku sqaroi deputetët e komisionit edhe pse u zgjodh Durrësi. Sipas saj, kishte disa arsye pse u zgjodh që porti aktual të zhvendosej në Porto Romano, prej të cilave mund të përmendim ndotja ambientale, problematika me trafikun, ndotja akustike, por më e rëndësishmja ishte ezaurimi i kapaciteteve përpunuese të portit aktual.

“Kriteri më i rëndësishëm që na ka bërë për të marrë vendimin e spostimit të portit të Durrësit nga zemra e qytetit në një zonë industriale pak kilometra larg, që është zona e Porto Romanos, ishte dhe ezaurimi i kapaciteteve përpunuese të këtij porti”, u shpreh Balluku, e cila theksoi se Shqipëria synon të kthehet në një “hub” rajonal sa i përket transportit detar.”, u shpreh znj. Balluku.

Mbledhja vazhdoi me diskutime, pyetje, përgjigje dhe komente të ndryshme mbi këtë projektligj.