Lajm i mirë për detarinë tonë: Shqipëria anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë / 20 Maj 2022

Lajm i mirë për detarinë tonë Shqipëria anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë

Organizata njoftoi pranimin e aplikimit të Shqipërisë, duke e bërë atë anëtaren e 98-të, pas vlerësimit të rezultateve të arritura ndër vite nga Shërbimi Hidrografik i Forcës sonë Detare.

Organizata Ndërkombëtare e Hidrografisë është përgjegjëse për vlerësimin dhe studimin hidrografik të oqeaneve si dhe për përcaktimin e standardeve të hartave detare. Krijuar në vitin 1921, ONH promovon uniformitetin e hartave detare dhe dokumenteve hidrografike.

Falë këtij anëtarësimi, vendi ynë do të mund të përfitojë nga burimet dhe ekspertiza e Organizatës Ndërkombëtare Hidrografike në përmirësimin e sigurisë së lundrimit dhe në zhvillimin e aktiviteteve detare. Shqipëria gjithashtu do ti bashkohet Komisionit Hidrografik të Mesdheut dhe Detit të Zi – si një anëtare me të drejta të plota, duke qenë vëzhguese në Komisionin Rajonal për shumë vite.

Shqipëria ka një bregdet kompleks i cili shtrihet përgjatë Detit Adriatik, me zona shkëmbore dhe limane të izoluara. Porti i saj më i madh është ai i i qytetit të Durrësit, i cili shpesh referohet edhe si “qyteti i përjetshëm”, pasi është themeluar mbi 2500 vjet më parë. Kjo vijë bregdetare i siguron vendit një mjet të rëndësishëm transporti, por gjithashtu ofron mundësi të mëdha për turizëm dhe aktivitete të tjera të përqendruara në det. Të dhënat hidrografike janë të nevojshme për transportin e  sigurt, por edhe për zhvillimin e një sërë prej këtyre aktiviteteve.

Shqipëria ka bashkëpunuar si në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në aspektin e hidrografisë duke siguruar shërbime lundruese, hidrografike dhe oqeanografike në ujërat brenda juridiksionit të saj kombëtar. Vendi gjithashtu monitoron dhe garanton sigurinë në lundrim falë dritave lundruese brenda ujërave territoriale shqiptare në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka thelluar marrëdhëniet e saj bilaterale dhe rajonale në hidrografi dhe hartografi. Efektive dhe të domosdoshme rezultuan edhe kapacitetet e ngritura në Shërbimin e Forcës Detare edhe nëpërmjet programit ALNOHIP me qeverinë Norvegjeze e cila mundësoi edhe fasilitetet për krijimin e shërbimit hidrografik shqiptar në vitin 2020.

Fqinji bregdetar Italia, gjithashtu ka luajtur një rol të madh në mbështetjen e krijimit të kapaciteteve hidrografike duke ofruar programe për kategoritë A dhe B të hidrografisë, si dhe praktika mbi prodhimin e grafikëve ENC. Me anëtarësimin e saj në ONH, Shqipëria do të ketë mundësi të shfrytëzojë gamën e plotë të programeve të dizenjuara për rritjen e kapaciteteve dhe trajnimet, duke përfshirë këtu edhe kurset e financuara nga ONH për hidrografinë dhe hartografinë në  kategoritë A dhe B.

Me  përmirësimin e kapaciteteve studimore të detit, vendi ynë do të jetë i aftë të shfrytëzojë më shumë dhe me efektivitet më të madh ujërat territoriale dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE). Informacioni hidrografik ka një larmi të gjerë aplikimesh, të cilat mundësojnë zhvillimin e projekteve për energjinë e rinovueshme detare, një sektor ky ku operatorët shfaqin nevojën për informacion më të thelluar në raport me topografinë e detit apo forcën dhe rregullsinë e rrymave.Industritë si peshkimi dhe akuakultura varen gjithashtu nga faktorët mjedisorë siç janë temperatura, kripësia dhe rrymat – informacione që detajohen nga sondazhet hidrografike të cilat veprojnë si katalizatorë për zhvillimin ekonomik të vendeve bregdetare.

Ky anëtarësim është i rëndësishëm jo vetëm për njohjen ndërkombëtare të cilësisë së sigurisë së lundrimit në hapësirën detare të Shqipërisë por edhe për impaktin që do të ketë në rritjen e trafikut detar në ujërat tona. Tashmë hartat detare të prodhuara nga Shërbimi Hidrografik shqiptar do të njihen zyrtarisht për cilësinë dhe standardet e tyre ashtu si edhe ato të vendeve të tjera anëtare të ONH. Produktet e certifikuara hidrografike dhe me standarde janë një kontribut i drejtpërdrejtë në sigurinë lundrimore, zhvillimin turistik dhe ekonomik të vendit.