Marina turistike e Durrësit/ Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit/ 10 Gusht 2022

Në datën 10 Gusht 2022, në “Sallën e Hartave” në Kryeministri u  nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit për marinën turistike të Durrësit, mes Z. Mohamed Ali Rashed Alabbar, Administrator dhe përfaqësues i “Eagle Hills Real Estate Development” Sh.p.k, dhe Z. Erlis Hereni, Administrator dhe përfaqësues i “Albanian Seaports Development Company”, shoqeri aksionare në pronësi të Autoritetit Portual Durrës e krijuar për të siguruar mbarëvajtjen e zhvillimit të projektit.

Kujtojmë se, në fund të vitit të kaluar, përmes Vendimit Nr. 14/6 Prot., datë 02.12.2021 projekti, i cili përfshin zhvillimin dhe rijetëzimin urban të një pjese të qytetit të Durrësit, ndërtimin e një marinë moderne, si dhe hapësira rezidenciale dhe shërbimesh të një turzmi bregdetar elitar, është përcaktuar të ketë statusin e investimit strategjik, me kusht që palët të përmbushin disa parime dhe të dakordësojnë disa kushte dhe përgjegjësi përmes një procedure negociimi, e cila është duke u finalizuar.

Sipas Ligjit 55/2015 për “Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM Nr. 1030, datë 16.12.2015, Eagle Hills ka kërkuar pjesëmarrjen e Qeverisë në Projekt si bashë-zhvilluese dhe bashkë-operuese. Me këtë synim, përmes Autoritetit Portual Durrës (“APD”), Qeveria themeloi shoqërinë aksionare “Albanian Seaports Development Company”, e cila do të përfaqësojë interesat e Qeverisë shqiptare përgjatë implementimit të këtij investimi.

Në përputhje me kushtet paraprake të vendosura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ASDC-ja dhe Eagle Hills duhet të themelojnë së bashku një shoqëri të përbashkët aksionare me qëllimin e vetëm të zhvillimit dhe operimit të Projektit.

Ndërkohë që presim të përmbyllet së shpejti faza e negocimit, e cila do t’i hapë rrugën miratimit formal tekniko-ligjor të akteve përkatëse, memorandumi i mirëkuptimit përcakton termat e bashkëpunimit ndërmjet palëve në fazën paraprake, duke përfshirë dhe kufizuar në,:

(1)       Marrjen e të gjitha masave për promovimin dhe përgatitjen e Projektit;

(2)       Përshtatjen dhe përgatitjen e kushteve infrastrukturore dhe mjedisore të përshtatshme dhe të nevojshme për lehtësimin e zbatimit të Fazës së Parë të Zhvillimit  të Projektit;

(3)       Të gjitha veprimet  paraprake të nevojshme për hartimin dhe pregatitjen e projektit arkitektonik të Projektit “Durrës Yacht & Marina”;

Përtej spekulimeve të publikuara së fundmi në media, prona e Portit aktual nuk i ka kaluar në pronësi investitorit privat. Me VKM Nr. 861, datë 29.12.2021, dhe VKM Nr. 494, datë 21.7.2022, parashikohet vënie në dispozicion të investimit strategjik për realizimin e projektit “Durrës Yacht & Marina” të një sipërfaqe totale prej 80,9 ha, kjo pa cenuar kurrësesi operacionalitetin e Portit aktual.

Eshtë e rendësishme të theksojmë këtu se infrastruktura parësore detare e Portit aktual (përfshirë kalatat, baseni, kanali etj.) do të vijojë të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar, ndërsa mirëmbajtja e tyre, investimet e reja, shpenzimet dhe shërbimet e Marinës turistike do të jenë përgjegjësi e investitorit strategjik përmes një kontrate të vecantë ku Qeveria do të vijojë të ushtrojë përgjegjsitë e saj publike dhe rregullatore sipas legjislacionit në fuqi.

Në 2020, Qeveria shqiptare miratoi një strategji ambicioze për transportin detar që përfshin një plan solid investimesh për të konsoliduar dhe përmirësuar infrastrukturën portuale në mbarë vendin.  Strategjia jonë parashikon zhvendosjen e përpunimit të mallrave jashtë zonave urbane dhe rizhvillimin e portit të qytetit në një marinë luksoze për kroçerat dhe shërbimet turistike me standarde të larta. Faktikisht, me transformimin e portit aktual dhe ndërtimin e faciliteteve të reja në Porto Romano, po krijojmë një Autoritet Portual me dy porte. Kjo në përputhje me praktikat më të mira të zhvillimeve portuale në vende të Europës veriore dhe perëndimore.