U zhvillua në ambjentet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi” të APD-së trajnimi katër ditor mbi Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm të Porteve (SDG-Sustainability Development Goals) bazuar në formatin IAPH/APEC.
Realizimi i tij vjen në kuadër të programeve të kualifikimit profesional të stafit menaxherial të Autoritetit Portual Durrës, si një iniciativë e Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) dhe Njësisë së Standardeve dhe Cilësisë në APD, në bashkëpunim me ekipin e konsuletëve të TMC(Training Management Consulting) dhe ekspertëve të Portit të Antwerpit (PAI).
Përmirësimi i aftësive menaxheriale dhe njohurive për të përdorur në praktikë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, ishte në fokus të këtij trajnimi të drejtuar nga Joachim Verheyen, trajnues i ekipit të konsuletëve të Menaxhimit të Trajnimeve(TMC) dhe ekspert i PAI.
Integrimi i praktikave të zhvillimit të qendrueshëm në administrimin dhe politikat portuale, menaxhimi i projekteve infrastrukturore dhe mjedisore si një mjet për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, ndërtimi i partneriteteve të suksesshme për SDG-të si dhe Sistemet e Menaxhimit Mjedisor përfshirë edhe ISO 14001, ishin tematikat e zhvilluara.
Duke u fokusuar në zhvillimet e rëndësishmë portuale që po ndodhin në Durrës, Autoriteti Portual Durrës, paralelisht po realizon implementimin dhe promovimin e objektivave të OKB-së, të fokusuara në zhvillimin e qëndrueshëm në porte në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare detare si dhe standardet ndërkombëtare ISO.