Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ne cilesine e komisionit pergjegjes, shqyrtoi Nen për Nen projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Besart Kadia, z. Pirro Vëngu Drejtor i Përgjithshëm APD, z. Erlis Hereni Administrator i ASDC dhe znj. Elira Kokona përfaqësuese nga Këshilli i Ministrave.
Zëvendësministri Kadia, në fjalën e tij u shpreh se shteti fiton në përjetësi nga ky investim me këtë marrëveshje.
“Dividenti shpërndahet kur të ketë aktivitet ekonomik. Deri në 7 vite porti nuk do preket në aktivitetin e tij portual.”, vuri në dukje z. Kadia.
Zhvillimi i projektit do të jetë gradual, me faza, dhe sipas dakordësisë dhe kushteve të parashikuara në marrëveshjet mes palëve, duke mos cenuar aktivitetin e përpunimit të mallrave në portin ekzistues Në harmoni me këto faza zhvillimi, do të ndodhë dhe transferimi gradual i aktiviteteve tregtare në portin e ri të integruar të Durrësit në Porto Romano, i personelit operacional, doganor dhe të sigurisë. Marrëveshja, e cila propozohet të nënshkruhet ndërmjet qeverisë shqiptare dhe investitorit strategjik, vjen si rrjedhojë e një procesi të gjatë negociatash të kryera nga Komiteti i Negocimit të Marrëveshjes i cili ka përfunduar me sukses edhe negocimin e të gjitha projekt akteve të nevojshme për realizimin e projektit të investimit “Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina) – në vijim projekti”, i identifikuar si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin.
Pas diskutimeve, pyetjeve, përgjigjeve dhe komenteve të ndryshme të ndara në disa seanca dëgjimore në komisionin, në kohështrirje të ndryshme, projektligji “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.