Mjedisi portual, projekti Ten – Ecoport mbledh drejtuesit dhe specialistët 11 dhjetor 2013

Mjedisi portual, legjislacioni dhe zbatimi i tij ishin temat në qendër të Tavolinës së Rrumbullakët, që u organizua sot nga APD-ës, në kuadër të projektit Ten-Ecoport. Drejtues të APD, të Administratës detare dhe të Kapitenerisë së portit, përfaqësues të firmave të pastrimit detar, të kompanive të transportit dhe të Terminaleve portualë diskutuan së bashku mbi problematikat mjedisore portuale dhe zgjidhjen e tyre, sipas standarteve të Bashkimit Evropian.

Znj. Emanuela Hysenllari i njohu fillimisht të pranishmit me objektivat themelore të “Ten Ecoport”, si vazhdim i projektit Ecoport 8 dhe që synon të kontribuojë në zhvillimin e në  bashkëpunimin ndërmjet Autoriteteve Portuale në zonën e Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi. Rëndësi në këtë projekt i jepet proçesit të rishikimit të politikës së rrjeteve trans-europiane të transportit si dhe rrjeteve rajonale, të cilat ndikojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e mëtejshëm nga pikpamja sociale.

Ing. Rajmonda Gjata e vuri theksin në përqasjen evropiane të legjislacionit mjedisor si dhe në menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane në hapësirën portuale. Znj. Gjata vlerësoi rëndësinë e Drejtorisë së Mjedisit, që funksionon në strukturën e APD-së, si dhe vlerat që merr bashkërendimi i punës dhe i praktikave me të gjithë aktorët portualë. Ajo bëri të njohur se në fillim të vitit të ardhshëm në Durrës do të zhvillohet një Diskutim i zgjeruar për bashkëpunimin dypalësh me Portin e Barit (Itali).

Zv. Drejtori i APD-së, Artjan Qirici, pasi vlerësoi nismën, nënvizoi problematikat konkrete që sjell për basenin portual prania e dhjetra motopeshkatoreve, ndotja që ato sjellin, si dhe shqetësimi për përpunimin e mineraleve në sheshet dhe në kalatën lindore. Sipas z. Qirici, APD po përgatitet për një Takim të ardhshëm me temë “Porti detar, si pjesë e qytetit të Durrësit” dhe problematikat mjedisore do të jenë pjesë e rëndësishme e këtij takimi.

Shqetësime që lidhen me mjedisin detar dhe atë të kalatave portuale solli edhe Kapiteni i portit, Admir Sulaj, i cili e quajti një sfidë të ardhmen e anijeve të peshkimit, që nuk funksionojnë prej vitesh.

Projekti Ten Ecoport përfshin 16 partnerë që mbulojnë dy makro-rajone të rëndësishme: zonën e Adriatikut/Jonit dhe rajonin e Danubit. Ai ka një kohështrirje 2-vjecare dhe përfundon në gusht të vitit 2014.