NJOFTIM PËR SHTYP 05 Dhjetor 2014

Referuar një vëzhgimi të portalit Durrëslajm.com, i cili shqyrton procesin e vendimmarrjes për lejimin/moslejimin e operimit në kalatën 6 të portit të Durrësit të një vinçi kontejnerësh të sjellë nga koncesionari DCT (Durrës Container Terminal), bëjmë të ditur sa vijon:

Komenti vëren se procesi përshkohet nga luhatje të forta dhe ngre pikëpyetje mbi shkaqet e “kthesave” në qëndrimin e drejtuesve të Autoritetit Portual Durrës.

Theksojmë se në vendimmarrjet e menaxhimit të APD nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi. As para 5 muajve, kur vinçi Terex 5150 u ndalua, e as në fund të nëntorit kur vinçi u lejua, APD nuk ka pasur tjetër argument për vendimin e vet përveç atij të nënvizuar në gjithë korrespondencën tonë: Pajtueshmërinë e parametrave të kësaj makinerie super të rëndë me parametrat mbajtëse të kalatës/sheshit, ku ai do të vendosej dhe operonte.

Rreth këtij argumenti pala koncesionare ka reaguar me qëndrimet dhe veprimet e saj. Nga këto qëndrime është përcaktuar edhe “luhatja” që percepton media në fjalë. Në se për 5 muaj vinçi nuk mundi të instalohej dhe operonte në terminalin e konteinerëve kjo ndodhte sepse DCT këmbëngulte se vinçi ishte konform shifrave të duhura dhe se APD duhet ta lejonte atë automatikisht “ashtu siç ai ishte”. Një kërkesë kjo e papranueshme nga APD, si atëhere edhe sot e kësaj dite.

Lëvizja e vinçit brënda territorit portual është kryer në bazë të Marrëveshjes trepalëshe të 20 nëntorit 2014, mes APD, DCT dhe AFTO (Albanian Ferry Terminal Operator). Në se në Nëntor vinçi u lejua të lëvizë, të instalohet dhe të operojë në kalatat dhe sheshet përkatëse, shpjegimi gjendet përsëri tek përmbushja e parametrave dhe vetëm tek parametrat teknike të makinerisë. Vetëm në tetor-nëntor operatori pranoi të bëjë adaptimet e nevojëshme dhe nën certifikimin e prodhuesit ta përshtasë vinçin sipas

kushtëzimeve të kalatës.

APD është e kënaqur për gjetjen e mirkuptimit, sipas kushteve të koncesionit, si dhe për vënien në punë të vinçit në fjalë.